10 dhjetor 2020
E frymëzuar nga babai i saj Sejdi Behluli, një ish-polic, bëri që drejtimi i karrierës së Rreshteres Xhemile Behluli të ishte shumë i qartë në moshë shumë të re. Ajo i përket gjeneratës së tretë të diplomuarve të Policisë së Kosovës dhe i është bashkuar forcës policore në shkurt të vitit 2000. Rreshter Behluli i kujton ditët e para të saj si police, duke patrulluar rrugëve si një grua e re me uniformë. Ajo e kujton me emocion se si njerëzit e vërshonin atë dhe kolegët e saj me respekt pasi ata e përfaqësonin autoritetin dhe sigurinë, duke i trajtuar ata si shpëtimtarë të jetës. “Mbaj mend që njerëzit më ndalonin në rrugë dhe më kërkonin një përqafim, ose madje t’u shkruaja atyre një gjobë në mënyrë që të ishin në kontakt me dikë nga Policia e Kosovës, si një autoritet i ri i sigurisë që ishte në anën e tyre pas kaq shumë vitesh të vështira”, kujton Xhemilja.
Rreshtere Xhemile Behluli tani është mbikëqyrëse në sektorin e dhunës në familje në kuadër të Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Policinë në Komunitet dhe Parandalim. Ajo është në këtë sektor prej nëntë vjetësh tashmë: “Unë u bëra pjesë e këtij sektori të veçantë sepse doja ta jepja kontributin tim dhe t’i ndihmoja viktimat e dhunës në familje. Ky është një sektor shumë i ndjeshëm ku viktimat zakonisht janë shumë të traumatizuara dhe shumë të ndjeshme, prandaj, ne menjëherë marrim hapat e nevojshëm për t'i akomoduar dhe ndihmuar ato", shpjegon ajo.
Në momentin që një viktimë e dhunës në familje e kontakton Policinë e Kosovës, Rreshterja Behluli dhe kolegët e saj në këtë sektor përkatës së pari sigurohen që viktima të jetë në duar të sigurta nën mbikëqyrjen e tyre. Pastaj, ata ndërmarrin hapat e nevojshëm, përfshirë kontaktimin me Qendrën për Shërbime Sociale dhe sigurojnë strehimin për viktimat.
“Për ne në Policinë e Kosovës, prioriteti numër një është siguria e viktimave. Derisa të sigurohemi që viktima është e sigurt, ne nuk largohemi nga to”, shpjegon Rreshtere Behluli. Për të fituar përvojë në fushën e ndjeshme të dhunës në familje, Rreshterja Behluli ka kaluar nëpër trajnime të gjata dhe adekuate. Në fakt, pjesëtarët e sektorit të dhunës në familje të Policisë së Kosovës marrin pjesë rregullisht në kurse trajnimi të cilat ofrohen nga shumë organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, siç janë EULEX, UN Women, UNDP dhe OSBE, si dhe nga shumë OJQ që punojnë në fushën e dhunës në familje.
“Ne jemi duke punuar vazhdimisht për ta rritur ndërgjegjësimin tek popullata për rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje. Çdo vit jemi duke parë një rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje, të cilat raportohen në polici. Kjo është rezultat i rritjes së ndërgjegjësimit të njerëzve dhe viktimave në këtë drejtim - se dhuna në familje duhet të raportohet. Dhuna mbetet dhunë dhe nuk duhet të tolerohet”, thotë vendosmërisht Behluli, duke shtuar se qëllimi kryesor i Policisë së Kosovës është që viktimat t’i raportojnë rastet e dhunës në familje.
Përgjatë viteve, Policia e Kosovës ka kryer shumë aktivitete për ta rritur ndërgjegjësimin për dhunën në familje, përfshirë ligjërata në shkolla ku nxënësit e shkollës mësojnë më shumë se çfarë është dhuna në familje. “Shumë herë fëmijët janë viktima të dhunës në familje, por ata nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Përmes ligjëratave tona, ne ua shpjegojmë atyre se çfarë përbën dhunë dhe kur dhe ku duhet ta raportojnë atë", thotë Rreshtere Behluli.
Si pjesë e fushatës së këtij viti 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore, Policia e Kosovës po planifikon të shpërndajë fletëpalosje informuese mbi dhunën në familje në të gjithë Kosovën, ku do të jenë në dispozicion të gjitha informatat kryesore mbi dhunën në familje, përfshirë numrat e telefonit ku viktimat mund të telefonojnë dhe t’i raportojnë rastet e dhunës në familje.
Kur bëhet fjalë për numrin e rasteve të raportuara të dhunës në familje, Rreshtere Behluli shpjegon se si ky numër rritet për çdo vit. Për shembull, në vitin 2019 u raportuan 1915 raste të dhunës në familje, ndërsa këtë vit janë raportuar 1713 raste të dhunës në familje deri më tani.
Sidoqoftë, Rreshtere Behluli është optimiste se me mendësinë më të përparuar, pragmatike dhe të drejtuar nga barazia gjinore e gjeneratave të reja, rastet e dhunës në familje do të ulen. “Unë i mësoj djalin dhe vajzën time që të dy duhet të punojnë shumë në të njëjtën mënyrë për t’i arritur qëllimet e tyre dhe se ata janë të barabartë. Mundohem t’ua ngulis në mendje se asnjëri prej tyre nuk është më i privilegjuar për shkak të gjinisë së tyre”, thotë Rreshtere Behluli.
Për ta parandaluar dhe rritur ndërgjegjësimin mbi dhunën në familje, koordinimi i mirë i të gjithë partnerëve të përfshirë dhe palëve të interesit është i një rëndësie thelbësore. “Përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës i ka shtyrë gjërat përpara kur bëhet fjalë për ngritjen e vetëdijes për dhunën në familje. Tani, unë shoh shumë më tepër organizata që bashkohen në 16 Ditët e Aktivizmit duke i ndriçuar ndërtesat e tyre me ngjyrë portokalli për shembull. Ju gjithashtu mund të hasni mësime mbi atë se çfarë është dhuna në familje në librat shkollorë. Mund të thuhet se jemi në rrugën e duhur të ngritjes së vetëdijes, prandaj edhe numri i rasteve që raportohen po rritet - viktimat po paraqiten", thotë Rreshtere Behluli.
Duke e komentuar zbatimin e Ligjit për dhunën në familje, Rreshtere Behluli thekson: “Unë besoj se me zbatimin e ligjit për dhunën në familje dhe me përfshirjen e Konventës së Stambollit, viktimat e dhunës në familje do të ndjehen më të sigurta dhe do ta marrin ndihmën që u duhet dhe e meritojnë ato. Unë besoj se me kalimin e kohës, viktimat do të jenë më të vetëdijshme për nevojën e raportimit të dhunës dhe se autorët e këtyre veprave do të jenë më të vetëdijshëm se veprimet e tyre do të sjellin pasoja".
Sikur për të gjithë, viti 2020 ka qenë një vit krejt ndryshe edhe për sektorin e Rreshteres Behluli. Pandemia me COVID 19 i ka vendosur zyrtarët e Policisë së Kosovës në një pozitë të rrezikshme për faktin se sa herë që ata është dashur të ishin në terren, Xhemilja dhe ekipi i saj kanë qenë të ekspozuar ndaj mundësisë së infektimit. “Ka qenë një periudhë e vështirë dhe na ka shërbyer gjithashtu si një shembull për ta parë se sa e vështirë, stresuese dhe traumatike është kjo kohë për viktimat. Kjo situatë e krijuar për shkak të pandemisë na ka mësuar edhe më shumë të mendojmë si viktimat, si të jemi në lëkurën e tyre dhe si t'i kuptojmë ato edhe më mirë", shpjegon Rreshtere Behluli.
Ajo i mbyll theniet e saj duke e shprehur dëshirën e saj që njerëzit të mos përdorin dhunë, por të ëtregojnë më tepër durim, dhembshuri dhe të komunikojnë me të dashurit e tyre me respekt, sepse dhuna asnjëherë nuk mund të jetë zjidhja!