Lajme

Bashkëbisedimet për fuqizimin e grave – “Shëndeti mendor i viktimave të dhunës kundër grave dhe fëmijëve dëshmitarë të dhunës“

06 janar 2021

Më 10 dhjetor 2020, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e organizoi të pestin me radhë dhe të fundit nga seria e “Bashkëbisedime për fuqizimin e grave” në temën "Shëndeti mendor i viktimave të dhunës kundër grave dhe fëmijëve dëshmitarë të dhunës". Moderuar nga Këshiltarja Gjinore e EULEX-it, Chiara Tagliani, paneli i diskutuesve përbëhej nga Djurdjica Kazic, psikologe në OJQ Të Drejtat e Grave dhe Luljeta Berisha, psikologe në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës (KRCT). Në këtë diskutim u përfshi edhe Katarina Mitic si mysafire speciale, e cila e tregoi rastin e saj si e mbijetuar e dhunës në familje.

Dhuna kundër grave mund të ketë implikime gjatë gjithë jetës jo vetëm për shëndetin fizik të viktimave, por edhe për shëndetin mendor të tyre. Lidhur me shërbimet që kanë të bëjnë me shëndetin mendor të viktimave të dhunës në familje, Djurdjica Kazic, psikologe në OJQ Të Drejtat e Grave tha: “Nëse ne kalojmë nëpër procesin e asaj të cilin kalojnë viktimat në një rrjedhë kronologjike, atëherë kjo do të dukej kështu: në fillim viktimat nuk marrin mbështetje nga komuniteti, komuniteti e sheh viktimën si shkakun e dhunës. Në fund të kësaj piramide ofruesit e shërbimeve kanë qëndrime patriarkale ose ata nuk janë të trajnuar sa duhet. Kur flasim për viktimizimin ose dhunën sekondare, më së shumti bëhet fjalë për ata që janë të punësuar në institucione dhe për ofruesit e shërbimeve për viktimat. Aty ne shohim sjellje të dhunshme nga përfaqësuesit e ofruesve të shërbimeve, të tilla si toni i zërit joadekuat, duke folur me viktimat sikur ato ta kenë ushtruar dhunën, etj., e cila është dhunë e drejtpërdrejtë institucionale. Kaziç më tej shpjegoi se "duhet të ekzistojë një sistem i cili i mbron viktimat nga autorët e krimit në mënyrë që ato të mbrohen nga traumatizimi i mëtejshëm".

Fëmijët shpesh herë janë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të dhunës në familje, gjë që mund të ketë një efekt afatgjatë në shëndetin mendor të tyre. Konventa e Stambollit gjithashtu kërkon masa të mbrojtjes, duke i marrë parasysh marrëdhëniet midis viktimës, kryerësit të veprës, fëmijëve dhe mjedisit më të gjerë shoqëror. Një nga masat mbrojtëse për fëmijët e paraparë në Konventën e Stambollit janë shërbimet e këshillimit të përshtatshme për moshën. 

A ndërmerren masa të tilla në Kosovë dhe a është trajtuar siç duhet shëndeti mendor i fëmijëve dëshmitarë të dhunës në familje? 

Luljeta Berisha, psikologe në KRCT, theksoi se ekzistojnë institucione të caktuara publike të cilat përfshijnë psikiatra për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe organizata të ndryshme të Kosovës dhe ndërkombëtare që ofrojnë mbështetje për fëmijët. Sidoqoftë, sipas Berishës, problemi nuk qëndron në ekzistencën e këtyre shërbimeve por në qasjen te ky lloj i shërbimeve nga viktimat. 

“Nëse fëmijët janë dëshmitarë të ndonjë forme të dhunës, ata duhet të trajtohen gjithashtu nëse duam që ata të mos e bartin traumën, e cila në shumicën e rasteve rezulton në depresion. Një çështje tjetër shumë e rëndësishme që po neglizhohet është ndikimi që mund të ketë tek fëmijët të qenit dëshmitar i dhunës. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo dhunë, qoftë e drejtpërdrejtë apo e tërthortë, i dëmton fëmijët dhe të paktën një dimension të zhvillimit të tyre", përfundoi Berisha.

“Por, si duken gjërat nga këndvështrimi i një viktime? Katarina Mitic, një e mbijetuar e dhunës në familje, e tregoi historinë e saj se si ia doli ajo dhe arriti të mbijetojë. Pasi nuk mori ndihmë me kohë nga institucionet që merren me raste të tilla, Katarina mori udhëzime nga Drejtoresha Ekzekutive e OJQ Të Drejtat e Grave lidhur me atë se çfarë hapash duhej të ndërmerrte dhe me kë të kontaktonte si viktimë e dhunës në familje. “Edhe tani që burri im po e vuan dënimin e tij tre vjeçar në burg, unë nuk ndjehem e sigurt për atë që do të më ndodhë pasi që të lirohet ai. E vetmja mbështetje adekuate që e kam marrë deri më tani ishte nga OJQ Të Drejtat e Grave dhe psikologët të cilët më dhanë mbështetje emocionale”.

Panelistet ranë dakord që historia e Katarinës duhet të shërbejë si një shembull i asaj nëpër të cilën kalojnë viktimat e dhunës në baza gjinore dhe dhunës në familje, si duhet të adresohen këto raste dhe se si secili rast është i ndryshme dhe duhet të trajtohet si i tillë.  

"Bashkëbisedimet për Fuqizimin e Grave" janë pjesë e aktiviteteve të EULEX-it për ta shënuar 20 vjetorin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe fushatën e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore.