Lajme

Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit lidhet me studentët e Universitetit Jagiellonian në Krakov

12 janar 2021

Viti 2021 filloi me një aktivitet sensibilizues interaktiv. Më 11 janar, Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert Van Eck Koster, mori pjesë në një video konferencë me studentë nga programi i studimeve master për Sigurinë dhe Zhvillimin Ndërkombëtar në Universitetin Jagiellonian në Krakov, Poloni.

Diskutimet u përqëndruan në reformën gjyqësore të Kosovës dhe në punën e EULEX-it. Eksperti ynë, Hubert Van Eck Koster, e shpjegoi në hollësi monitorimin e fuqishëm sistematik dhe tematik të EULEX-it për të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale të Kosovës. Van Eck Koster gjithashtu e shpjegoi strukturën e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar ky sistem prej vitit 1999.

Eksperti ynë gjithashtu foli për Raportin për Monitorimin e Drejtësisë të cilin e ka publikuar ky Mision në muajin tetor 2020, i cili përfshin gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës për të përmirësuar sistemin e drejtësisë.

Studentët u përfshinë në diskutime me Van Eck Koster duke bërë pyetje për koordinimin midis partnerëve përkatës të sundimit të ligjit, palëve të interesit dhe shoqërisë civile. Studentët gjithashtu ishin të interesuar të dinin më shumë rreth rolit të shoqërisë civile në ndihmë të institucioneve të sundimit të ligjit për ta zbatuar legjislacionin dhe për ta luftuar korrupsionin.