02 dhjetor 2014
Para dorëzimit të kopjeve të certifikuara të librave origjinal civil dhe fetar të lindjes dhe vdekjes nga Serbia te autoritetet e Kosovës, puna ditore e zyrtarëve komunalë të gjendjes civile ishte më e vështirë sesa që është sot. Nuk ishte e lehtë as për një qytetar të rëndomtë të Kosovës të kërkojë ndonjë dokument të gjendjes civile.
Pra, më herët, zyrtarët komunalë të gjendjes civile mund të mbështeteshin vetëm në të dhënat nga librat e ri-konstruktuar, të cilët përmbanin informacion shumë të kufizuar. Mirëpo, gjendja ndryshoi në mënyrë domethënëse kur u bën të disponueshme kopjet e certifikuara.
Si pjesë e Marrëveshjes nga Dialogu i fasilituar nga BE-ja, e arritur më 2 korrik 2011 në mes të Prishtinës dhe Beogradit, EULEX-i bashkë me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe partnerin e vet implementues, Këshillin Danezë për Refugjatë, në mënyrë të suksesshme i ka dorëzuar Agjencisë për Regjistrim Civil të Kosovës gjithsej 12,391 libra civilë dhe fetarë të lindjes, të martesës dhe vdekjes, që mbulonin 22 komuna të Kosovës.
Marrëveshjet në mes Prishtinës dhe Beogradit të arritura në Bruksel më 2 korrik 2011 në kuadër të kornizës së dialogut teknik kanë kërkuar për një implementim të duhur nga të dyja palët, qartëson Tereza Dineva, nga njësia këshilluese për çështje të brendshme e EULEX-it.
Kopjet e certifikuara përmbajnë të dhëna të qytetarëve nga momenti i lindjes kjo do të thotë se kurdo që qytetarët e Kosovës kërkojnë dokumente të gjendjes civile ata më nuk kanë nevojë që të paraqesin dëshmi personale për të dëshmuar identitetin e tyre.
Dialogu i fasilituar nga BE-ja Regjistri Civil
Qendra e projektit ku bëhej certifikimi ishte vendosur në Nish, Serbi, dhe procesi i certifikimit përfshinte identifikimin dhe trajnimin e stafit, transportimin e librave origjinal të Regjistrit civil (LRC) nga komunat e ndryshme në Nish dhe anasjelltas, si dhe digjitalizimin e dokumenteve origjinale të Regjistrit civil, që arrinin në rreth dy milionë faqe. Pas përpunimit dhe certifikimit të 12,391 të LRC-ve, ato përfundimisht i janë dorëzuar Agjencisë për Regjistrim Civil të Kosovës dhe më pas komunave përkatëse.
Megjithatë, përgjegjësitë e EULEX-it të caktuara nga marrëveshjet në Bruksel nuk përfundojnë këtu. EULEX-i ishte përgjegjës për themelimin e një sistemi të Regjistrit të gjendjes civile plotësisht të besueshëm në Kosovë përmes shfrytëzimit të kopjeve të certifikuara të librave të regjistrit civil.
Nga mesi i prillit 2014, ne filluam me aktivitetin e vizitave në terren nëpër komunat të cilat i kishin pranuar kopjet e certifikuara të librave të Regjistrit civil dhe fetar origjinalet e të cilave mbahen në Serbi. Qëllimi i realizimit të këtyre vizitave ishte vlerësimi i shfrytëzimit të kopjeve të certifikuara gjatë punëve ditore të zyrtarëve komunalë të gjendjes civile dhe identifikimi i të gjitha fushave të cilat kërkojnë përmirësime të mëtejme shpjegon zj. Dineva.
Deri më tani, janë realizuar 68 vizita në terren në rajonin e Prishtinës dhe të Gjilanit; këto vizita do të vazhdojnë në të gjitha komunat tjera të Kosovës. Vizitat në terren kanë dëshmuar se kopjet e vërtetuara ishin shumë të dobishme për punët ditore të zyrtarëve komunal të gjendjes civile dhe të rëndësishme për gjendjen civile të qytetarëve të Kosovës.
Vrojtimet tona të përgjithshme, konkluzionet dhe rekomandimet e lidhura me përdorimin e kopjeve të certifikuara të librave të regjistrit civil janë paraqitur në raportin e konsoliduar për rajonin e Prishtinës, i cili i është dhënë edhe Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC),shtoi Dineva.
Një sistem i qëndrueshëm dhe i besueshëm i gjendjes civile
Në pajtim me përgjegjësitë e veta, EULEX-i përmes takimeve të Këshillit të përbashkët për Regjistrin civil, e ka këshilluar Agjencinë për Regjistrim Civil që të vazhdojë me fazën e dytë të digjitalizimit të librave të Regjistrit civil.
Digjitalizimi i librave të Regjistrit civil përfshinë futjen e të dhënave dhe themelimin e lidhjes së plotë, e cila i ofron Sistemit Qendror të Gjendjes Civile të dhëna nga origjinalet ekzistuese, kopjet, librat e rindërtuar dhe të certifikuar të Regjistrit civil.
Puna e Agjencisë për Regjistrim Civil do të kontribuojë në themelimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe të besueshëm të gjendjes civile që është kërkesë kryesore për procesin e liberalizimit të vizave dhe përfundimisht për sundimin e ligjit në Kosovë, shpjegon zj. Dineva.
Me sy kah e ardhmja
Ekipi i EULEX-it synon ndërtimin e bashkëpunimit të ngushtë me Agjencinë për Regjistrim Civil, në mënyrë që të shpërndajë kopjet e certifikuara zyrtarëve të gjendjes civile në komunat që janë në veri të Kosovës.
Vlerësimet paraprake të punës së zyrave të gjendjes civile dhe zyrave për regjistrim civil në veri të Mitrovicës janë planifikuar për të vazhduar me themelimin e një sistemi plotësisht që qëndrueshëm dhe të besueshëm të Regjistrit civil në gjithë Kosovën. Ideja është që të identifikohen fushat potenciale të cilat kërkojnë mekanizma shtesë ligjor dhe administrativ për sigurimin e shërbimeve efektive të regjistrimit.
Implementimi i plotë i marrëveshjes, do të kontribuojë në themelimin e Regjistrit civil të qëndrueshëm dhe të besueshëm në Kosovë, siç edhe është e paraparë në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dhe ai do të shërbejë si një e arritur e radhës në udhërrëfyesin për hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave.