07 maj 2015
Dje, në Prishtinë, EULEX-i e mbajti një punëtori për përmirësimin e teknikave të hetimit lidhur me rastet e korrupsionit. Alan Edwards, Shef i Njësisë së EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar (NJHKO) dhe zyrtarët e EULEX-it për hetimin e krimeve të rënda, Borislav Getsev, Marco Passarelli dhe Giancarlo Monteverdi e udhëhoqën një trajnim i cili ishte i përqendruar në rritjen e kapacitetit të hetuesve të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK) për ta luftuar korrupsionin.
Punëtoria për personelin e AKK-së u mbajt si pjesë e një projekti më të madh të nisur nga Njësiti i Antikorrupsionit i EULEX-it dhe i implementuar nga NJHKO. Projekti, i cili do të zgjasë disa muaj, do ti pajisë pjesëmarrësit me shkathtësitë e nevojshme për mbledhjen e provave për procesin e ndjekjes penale.
Punëtoria ndërvepruese ua mundësoi hetuesve që ti këmbejnë praktikat më të mira, ti ndajnë përvojat dhe të përqendrohen në teknikat hetuese siç janë shkathtësitë e intervistimit dhe të shkruarit të raporteve.
Kjo është punëtoria e dytë me radhë në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe Agjencisë në përpjekjen për ti zhvilluar kapacitetet vendase dhe për të krijuar partneritet të qëndrueshëm për ndalimin e korrupsionit.
Hetuesit nga Agjencia e Antikorrupsionit kane mirëpritur këtë model të trajnimit pasi që patën mundësi të mësojnë teknikat e NJHKO të EULEX-it dhe modelet e mëhershme. Një vlerë tjetër e punëtorisë ishte bashkëpunimi në mes të kolegëve të EULEX-it me ata të AKK-së.
Gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ne do ti ftojmë zyrtarët e AKK-së që të na bashkohen gjatë intervistave të drejtpërdrejta. Kur të përfundojë kjo, ne do ta bëjmë përmbledhjen e asaj që kanë mësuar ata dhe të gjërave të cilat i kemi arritur së bashku. Si rezultat, ne do të jemi në gjendje ta bëjmë vlerësimin e mënyrës së përmirësimit të shkathtësive të tyre, në veçanti të shkruarit e raporteve dhe të udhëhequrit e ndjekjeve penale, sqaron Alan Edwards.
Objektivi përfundimtar i projektit është ndërtimi i kapacitetit të AKK-së për ti hetuar krimet e korrupsionit kur të shkojë Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar. Sipas Edwards, qëllimi është që pas të lihet një ekip i fortë i hetuesve që do të jetë në gjendje të merret me çështjet komplekse në këtë fushë.