Lajme

Punëtoria e EULEX-it për krimet e luftës

22 maj 2015

Të premten, më 22 maj, EULEX-i e organizoi një punëtori të specializuar për krimet e luftës. Në të morën pjesë tre prokurorë vendas, si dhe gjashtë zyrtarë ligjorë vendas nga Prokuroria Speciale (PSRK). Cezary Michalczuk, Shef i Njësisë së PSRK-së për Krime të Luftës,  Aonghus Kelly, Zyrtar Ligjor i PSRK-së, Matti Raatikainen dhe Maria Feen nga Njësia e Policisë për Krime të Luftës, dhe Mark Dixon nga Sektori për Fuqizim i EULEX-it, e udhëhoqën trajnimin e fokusuar në shtimin e kapaciteteve të hetuesve për t’i trajtuar krimet e luftës dhe për të intervistuar dëshmitarët në veprat e sulmit seksual. 

Kjo punëtori u dha mundësi pjesëtarëve të personelit të EULEX-it  që t’i shkëmbejnë praktikat më të mira me prokurorët dhe personelin e PSRK-së, si dhe për t’i paraqitur përvojat praktike dhe teorike për mënyrën e intervistimit të dëshmitarëve dhe marrjes së deklaratave të besueshme. 

‘”Shpesh herë ne nuk kemi ndonjë provë tjetër kur bëhet fjalë për krimet e luftës. I kemi vetëm njerëzit të cilët kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve të caktuara, ndërsa puna jonë është që nga ata të marrim deklarata të besueshme. Gjatë kësaj punëtorie u mbajt një sesion interaktiv për teknikat dhe sfidat e intervistimit gjatë ballafaqimit me dëshmitarët, veçanërisht të atyre të cilët mund ta zbukurojnë rrëfimin e tyre ose që nuk e mbajnë mend rrjedhën e ngjarjeve”, sqaron Michalczuk.

Në pjesën praktike të punëtorisë u përfshi edhe një sesion i hetimeve të simuluara, ku një prokuror vendas dhe zyrtari ligjor i tij nga PSRK-ja e intervistuan një viktimë të krimeve të luftës. Pas kësaj u bënë diskutime mes pjesëmarrësve lidhur me elementet e forta dhe të dobëta të atij hetimi. Përveç kësaj, u debatuan edhe veçantitë e Programit për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, ndërsa u parashtruan ide lidhur me mënyrën se si dhe kur mund të shfrytëzohet ai në rastet e krimeve të luftës. 

Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie dhe të tjerave të ngjashme me të që planifikohet të organizohen gjatë javëve që vijnë, është përforcimi i kapaciteteve të prokurorëve dhe hetuesve vendas për t’u marrë me rastet e krimeve të luftës. Kjo ka një rëndësi të veçantë pasi që ata nuk kanë shumë përvojë në këtë fushë, prandaj këto sesione trajnimi interaktive dhe praktike janë jashtëzakonisht të nevojshme. Për më shumë, kjo gjë ka edhe një vlerë tjetër të rëndësishme duke pasur parasysh se në një të ardhme të afërt pritet formimi i një njësie të veçantë për ndjekjen penale të krimeve të luftës në Kosovë në kuadër të Prokurorisë Speciale.  “Ne jemi duke bërë përpjekje që të përqendrohemi në atë që kanë nevojë prokurorët vendas. Ata kanë njohuri teorike, kurse ne thjeshtë jemi duke u përpjekur që t’i ndërtojmë kapacitetet operacionale të tyre”, përfundon Michalczuk.