15 mars 2021
Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka pasur një pjesë të mjaftueshme të mbulimit të tij nga ana e mediave vendase dhe ndërkombëtare. Por, sa është mbuluar në thellësi Misioni ynë deri më tani? Cilat janë historitë e patreguara?
Në mes të muajit shkurt, Aurélie Pugnet, një gazetare e Bruxelles 2 (B2), një uebfaqe e lajmeve në gjuhën frënge e specializuar në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, i kaloi disa ditë në misonin EULEX Kosova dhe i intervistoi shumë pjesëtarë të personelit, përfshirë Shefin e Misionit. Për ta kuptuar më mirë punën e përditshme të këtij Misioni, Aurélie Pugnet i vizitoi gjithashtu të gjitha objektet e Misionit, Institutin e Mjekësisë Ligjore, varrezat në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Pallatin e Drejtësisë. Si rezultat i kësaj, B2 publikoi një seri artikujsh për aspektet e ndryshme të punës së EULEX-it, duke e shpjeguar në thellësi mandatin dhe aktivitetet e Misionit.
B2 bisedoi me Shefin e Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, i cili e shpjegoi punën që e bën njësia e tij: monitorimi i fuqishëm i rasteve të përzgjedhura në të gjithë zinxhirin e sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivelin policor, prokurorial dhe gjyqësor. Së bashku me Monitoruesin Tematik kryesor të EULEX-it për Krimet sipas të Drejtës Ndërkombëtare, gazetarja e B2 ishte e pranishme me rastin e shpalljes së vendimit në një rast gjyqësor dhe e pa nga dora e parë se si funksionon në praktikë monitorimi i fuqishëm i EULEX-it.
Aurélie Pugnet gjithashtu pati rastin ta shohë se si Njësia jonë Korrektuese e mbështet Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit. Siç theksoi Shefi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it, SHKK-ja është një nga shërbimet më të mira korrektuese në Ballkan.
Gjatë vizitës së saj në Njësinë Mjekësore të EULEX-it, gazetarja e pa rolin unik të kësaj njësie: se si siguron kujdes shëndetësor primar dhe urgjent për pjesëtarët e personelit të EULEX-it dhe pacientëve të tjerë, dhe për mënyrën se si ofron kjo njësi trajnime mjekësore për kolegët tanë dhe homologët tanë kosovarë.
Puna e Misionit për të ndihmuar në përcaktimin e fatit të personave të zhdukur nga konflikti në Kosovë gjithashtu shpjegohet në hollësi në njërin prej artikujve të veçantë. Ekspertët tanë, të cilët janë të vendosur në Institutin e Mjekësisë Ligjore, po punojnë krah për krah me homologët tanë vendas për ta ndriçuar fatin e të zhdukurve. Gazetarja i vizitoi varrezat në pjesën veriore të Mitrovicës së bashku me koordinatorin e EULEX-it për zhvarrime, i cili e shpjegoi hollësisht të gjithë procesin: nga identifikimi i lokacionit ku gjenden mbetjet mortore e deri te dorëzimi i tyre te familja e personit të zhdukur.
Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e EULEX-it dhe arrestimet e kohëve të fundit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) të kryera me mbështetjen operacionale dhe logjistike të EULEX-it u diskutuan gjithashtu gjatë vizitës së Aurélie Pugnet në Kosovë. Gazetares iu dha një njoftim të plotë nga Zëvendës Shefi i Misionit për punën e përditshme të NJPS-së, si dhe ishte e pranishme në një ushtrim për kontrollimin e turmave dhe trazirave në ambientet e NJPS-së në pjesën jugore të Mitrovicës.
Puna e Misionit për ta lehtësuar shkëmbimin e informatave policore ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit ose Ministrisë së Brendshme të Serbisë ka qenë sigurisht një temë, e cila nuk është trajtuar aq shumë deri më tani. Aurélie Pugnet u takua me përfaqësuesit e Njësisë për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar të EULEX-it, të cilët e informuan atë se si funksionon dhe pse nevojitet ky shkëmbim i informatave policore
Gazetarja e B2 e intervistoi gjithashtu Shefin e Misionit tonë, Lars-Gunnar Wigemark, i cili për EULEX-in tha: “Që nga fillimi, EULEX-i ka qenë një mision shumë i veçantë. Që atëherë ka kaluar nëpër një metamorfozë. Ai i filloi aktivitetet e tij në 2008 me më shumë se 3,000 pjesëtarë, më shumë se gjysma e të cilëve ishin zyrtarë policie. Kishte gjithashtu gjyqtarë, prokurorë, hetues, etj. Ne ndihmuam në ngritjen e sistemit doganor, i cili sot siguron më shumë se gjysmën e të hyrave të buxhetit. Ne e kemi trajnuar policinë, kemi ndihmuar në integrimin e policëve serbë të Kosovës në pjesën veriore. Në tërësi, më shumë se 10,000 pjesëtarë kanë punuar në këtë mision, më shumë se gjysma e të cilëve ishin vendas. Tani, një numër i caktuar i tyre mbajnë pozicione shumë të rëndësishme [në sistemin e Kosovës]”.
Artikujt e hollësishëm të B2 janë në dispozicion në internet vetëm për parapaguesit. Për ta lexuar një përmbledhje, shikoni këtë lidhje (në frëngjisht): https://www.bruxelles2.eu/2021/03/eulex-kosovo-reportage-hors-des-sentiers-battus-au-coeur-des-balkans-au-kosovo/