07 prill 2021
Më 7 prill, Zëdhënësja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Udhëheqësja e Zyrës për Shtyp e EULEX-it, Ioanna Lachana, dhe Shefja e Njësisë Korrektuese e EULEX-it, Ritva Hannele Vahakoski, prezantuan fushatën informuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës para rreth 50 përfaqësuesve të konferencës online “Të bashkuar drejt riintegrimit esencial post-penal”, e organizuar nga Rrjeti i organizatave për mbështetje post-penale në Serbi.
Lachana theksoi se qëllimi kryesor i fushatës informuese është ngritja e vetëdijesimit për rolin dhe punën e rëndësishme të Shërbimit Korrektues të Kosovës për lehtësimin e riintegrimit dhe kthimit të suksesshëm të personave të dënuar në shoqëri. Kjo bëhet përmes disa videove në të cilat shpjegohet se si Shërbimi Korrektues i Kosovës u ndihmon personave të dënuar t’i zhvillojnë shkathtësitë e tyre.
Vahakoski foli rreth bashkëpunimit shumë të mirë që Misioni ka me Shërbimin Korrektues të Kosovës, duke theksuar se EULEX-i aktualisht është duke zbatuar një numër të kurseve të trajtimeve për stafin korrektues me temën e menaxhimit të të burgosurve me probleme shëndetësore mendore.
Konferenca dyditore, e cila u zbatua në kuadër të Asistencës Teknike të BE-së për Organizatat e Shoqërisë Civile 3 Programi Populli për Popullin, u përqendrua në një sërë temash në lidhje me riintegrimin post-penal të ish-të burgosurve, përfshirë efektet e pandemisë COVID-19 mbi mbështetjen post-penale dhe bashkëpunimin mes shoqërisë civile, institucioneve qeveritare dhe mediave; roli i mediave për luftimin e stigmatizimit të ish-të burgosurve; sfidat e riintegrimit të të miturve; riintegrimi sfidues i personave që përdorin drogë; dhe bashkëpunimi mes OShC dhe institucioneve qeveritare.