27 prill 2021
Më 26 prill 2020, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë organizoi një konferencë në internet me titull "Gjykimi i krimeve të luftës: progres i ngadaltë".
Kolegu ynë Paul Flynn, Shefi i Zyrës Ligjore dhe për të Drejtat e Njeriut, mori pjesë si panelist dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit të rregullt dhe kuptimplotë ligjor midis Kosovës dhe Serbisë, i cili është i nevojshëm për të ardhur deri te përgjegjësia për krimet e luftës të kryera.
Lidhur me monitorimin e gjykimeve, Flynn foli për mandatin e EULEX-it për monitorimin e rasteve dhe gjykimeve të përzgjedhura: “Siç e dini shumica prej jush tashmë, EULEX-i tani është duke monitoruar raste dhe gjykime të përzgjedhura në sistemin e drejtësisë në Kosovë, përfshirë rastet e krimeve të luftës. Në Raportin tonë të fundit për Monitorimin e Drejtësisë, ne i inkurajuam autoritetet e Kosovës që të kërkojnë mënyra për ta përmirësuar bashkëpunimin rajonal në hetimin e rasteve të profilit të lartë të krimeve të luftës, veçanërisht me Serbinë, ku banojnë shumë të dyshuar dhe dëshmitarë".
Më tej, Flynn foli për lehtësimin e shkëmbimit të informatava ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve serbe, një pjesë e mandatit të Misionit që është më pak e njohur për publikun.
“Unë u befasova kur zbulova se krahasuar me vitet e mëparshme, në vitin 2020, EULEX-i lehtësoi një vëllim tre herë më të madh të shkëmbimit të mesazheve krahasuar me të kaluarën ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Po e përmend këtë, sepse dua të theksoj se rritja e bashkëpunimit juridik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjithashtu e mundur, me kusht që përmes dialogut të ndërtohet një atmosferë konstruktive e besimit”.
Kjo konferencë u organizua pas publikimit të Raportit Vjetor mbi monitorimin e gjykimeve në vitin 2020, lidhur me konfliktin në Kosovë.