Lajme

Vullnetarët nga EULEX-i, UNMIK-u dhe OJQ “Let’s do it Kosova” shënuan Ditën Botërore të Mjedisit

07 qershor 2021

Më 5 qershor, vullnetarët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), UNMIK-u dhe OJQ "Let’s do it Kosova" e shënuan Ditën Botërore të Mjedisit duke e pastruar shtratin e lumit Janjevë.

Shefi i EULEX-it, i cili mori pjesë në këtë aktivitet, tha: “Natyra në Kosovë është shumë e bukur. Nëse të gjithë ata që jetojnë këtu bashkohen për të pastruar, ajo bëhet një shtëpi edhe më e mirë për ne".

Zëvendës Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm në UNMIK, Barrie Freeman, i cili gjithashtu u bashkua me vullnetarët, tha: "Hapësirat natyrore të Kosovës janë një pasuri e madhe për të gjithë ne. Kujdesi për mjedisin dhe krijimi i praktikave të qëndrueshme do të jetë garanci që brezat e ardhshëm do të mund t’i shijojnë ambientet e hapura njëso siç ne e kemi privilegjin ta bëjmë këtë sot”. 

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, i cili gjithashtu u bashkua me vullnetarët për pastrimin në Janjevë tha: "Së bashku, ne do ta ruajmë mjedisin tonë".

Përveç pastrimit në Janjevë, vullnetarët e EULEX-it, UNMIK-ut dhe OJQ-ve vendase i bashkuan forcat të premten dhe e pastruan lagjen Kodra e Minatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe rrugën që të çon te kalaja në Zveçan.

EULEX-i është duke bërë përpjekje që të bëhet më miqësor ndaj mjedisit në të gjitha aspektet e punës së tij. Kohëve të fundit ai e krijoi një komitet të gjelbër, i cili është duke punuar për ta përmirësuar gjurmën mjedisore të Misionit. Për më tepër, Misioni do ta zbatojë një projekt për mbjelljen e fidanëve dhe pemëve nëpër Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës. EULEX-i, gjithashtu do ta zbatojë një projekt së bashku me Policinë e Kosovës për ta luftuar krimin mjedisor dhe për ta luftuar hedhjen e paligjshme dhe trafikimin e mbeturinave.