21 korrik 2021
Më 15 korrik, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, kaloi një ditë në Mitrovicë duke takuar partnerët e Misionit nga fusha e sundimit të ligjit. Në një takim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani, pasi e përgëzoi Kryeprokurorin Ujkani për emërimin në këtë pozitë, Wigemark foli për mandatin aktual të Misionit, i cili, përveç detyrave të tjera, do të vazhdojë ta monitorojë sistemin e drejtësisë të Kosovës përgjatë gjithë zinxhirit të drejtësisë penale, zbatimin ei standardeve ndërkombëtare të drejtave të njeriut si dhe shërbimin korrektues. Për më tepër, Wigemark shtoi se EULEX-i do të vazhdojë ta monitorojë bashkëpunimin midis Policisë së Kosovës dhe autoriteteve të prokurorisë si një nga elementët kryesorë në një sistem të drejtësisë që funksionon mirë.
EULEX-i do të vazhdojë ta mbështesë Prokurorinë Themelore të Mitrovicës përmes monitorimit dhe këshillimit në nivelin e lartë drejtues. Ujkani përmendi integrimin në drejtësi si një histori suksesi për institucionin e tij dhe e vlerësoi bashkëpunimin që ata kanë me EULEX-in.
Shefi i EULEX-it u takua gjithashtu me Kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, gjyqtarin Nikola Kabashiq. Ky i fundit e paraqiti gjykatën si një institucion shumëetnik i cili funksionon në të dy gjuhët, serbisht dhe shqip. Sipas gjyqtarit Kabashiq, sfida më e madhe e gjykatës është grumbullimi i lëndëve, numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve, mungesa e përkthyesve dhe sistemi menaxhimi kopmjuterik që nuk është mjaft i sofistikuar për këtë fushë të ndjeshme të punës.
Në fund të vizitës, Wigemark u takua me Kryetaren e Divizionit të Apelit në Mitrovicë, gjyqtaren Gordana Vlaskovic, e cila shprehu mirënjohjen e saj për interesimin dhe mbështetjen e EULEX-it. Gjatë diskutimit, gjyqtarja Vlaskovic i paraqiti sfidat e institucionit të saj, të cilat përfshijnë mungesën e stafit administrativ, gjyqtarëve, përkthyesve dhe bashkëpunëtorëve juridikë. Wigemark u pajtua që gjykata në Mitrovicë është veçanërisht komplekse në lidhje me çështjet me të cilat përballet ajo.
EULEX-i do të vazhdojë të ndihmojë në zbatimin e marrëveshjes për integrimin në drejtësi në përputhje me mandatin e tij dhe nën drejtimin e PSBE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja dhe do të sigurojë mbështetje të mëtejshme për këto institucione përmes projekteve të ndryshme që mund të bëjnë një ndryshim pozitiv në këtë sektor.