02 gusht 2021
Këshilltarja gjinore e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Chiara Tagliani, dha një intervistë për Radio K4 për dhunën seksuale dhe fushatën e këtij Misioni “Ma thuaj me kohë”.
Transkriptin e intervistës origjinale mund ta gjeni më poshtë. Çdo raportim i më pastajmë ku përdoren citate nga kjo intervistë duhet t’i referohet burimit origjinal – Radio K4.
INTERVISTË ME CHIARA TAGLIANI, KËSHILLTARE PËR ÇËSHTJE GJINORE NË EULEX
RADIO K4: A mund të na tregoni për arritjet e kampanjës ‘Speak UP On Time’ që nga fillimi i vitit 2019?
CHIARA TAGLIANI: Së pari, më lejoni të ju falënderoj për mundësinë të jem këtu dhe të trajtoj një temë kaq sensitive. EULEX-i së bashku me Institutin për Mjekësi Ligjore kanë filluar fushatën ‘Speak Up On Time’, në vitin 2019, për të rritur ndërgjegjësimin tek fëmijët dhe komuniteti i gjerë, në lidhje me temën e dhunës seksuale dhe si të veprojmë në rast se dhuna seksuale ndodhë. Arritja kryesore e fushatës është mënyra se si është projektuar ajo, sepse ka pasur shtrirje të madhe në shkolla. 13 shkolla dhe rreth 700 fëmijë ishin pjesë e fushatës, deri në fillimin e pandemisë dhe pastaj fatkeqësisht është dashur ta ndërprejmë këtë aktivitet për të vazhduar me aktivitete ‘online’ të cilat po vazhdojnë ende duke arritur shtrirje të dyfishtë dhe duke rritur maksimalisht ndikimin e kësaj fushate. Prandaj, jemi sot këtu, për të folur për një temë kaq të rëndësishme, ku fushata ka synuar të rrisë ndërgjegjësimin tek qytetarët dhe të nxisë diskutim ndërinstitucional. Kjo fushatë u ka mundësuar institucioneve përkatëse dhe ofruesve të shërbimeve të kësaj natyre të bashkohen, të diskutojnë dhe të rrisin bashkëpunimin e tyre dhe mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale. Dua të shtoj se arsyeja që kemi synuar të targetojmë shkollat është bazuar në të dhënat statistikore, nga ‘Instituti i Kosovës për Mjekësi Ligjore’, të cilat treguan se shumica e viktimave të dhunës seksuale janë të moshës nga 11 deri në 16 vjet. Kjo është arsyeja pse e kemi parë të nevojshme për të shkuar tek më të rinjtë, kryesisht në shkolla, duke i bashkuar ata për të diskutuar për këtë temë.
RADIO K4: Ligjëratat edukative në kuadër të fushatës ‘Speak Up On Time’ kundër dhunës seksuale janë organizuar në shkolla. Cilat kanë qenë përshtypjet e audiencës së synuar, përkatësisht nga fëmijët?
CHIARA TAGLIANI: Ne kemi vërejtur një reagim shumë të mirë nga fëmijët, të cilët ishin shumë të interesuar të flisnin rreth kësaj teme dhe të kuptonin më shumë se çfarë është dhuna seksuale dhe pastaj për të parë se si mekanizma të ndryshme do të ndihmonin për të mbrojtur dhe për t’iu përgjigjur rasteve të dhunës seksuale. Prandaj, pjesë e ligjëratave ka qenë e inkuadruar edhe Policia që ka shpjeguar se çfarë hapash ndërmarrin ata në këto raste, po ashtu përfaqësues të ‘Institutit të Mjekësisë Ligjore’ të cilët kanë shpjeguar se çfarë bëjnë ata me provat biologjike dhe pse këto prova janë të rëndësishme. Ky aspekt ka rezultuar të këtë sukses dhe të kemi vëmendje nga fëmijët, por edhe nga prindërit të cilët na treguan që fëmijët e kanë diskutuar këtë temë në shtëpi si dhe me mësuesit, të cilët thanë se kjo është temë e duhur të diskutohet në shkolla.
RADIO K4: Ju lutem na jepni një përkufizim të thjeshtë se çfarë është dhuna seksuale?
CHIARA TAGLIANI: Thënë shumë thjeshtë, dhuna seksuale është një akt seksual, pa pëlqim dhe pa dëshirë. Pavarësisht lidhjes në mes të viktimës dhe kryesit të veprës së mundshme është e rëndësishme të dihet se të kesh lidhje intime me një person, pa pëlqimin tënd nuk e justifikon dhunën seksuale.
RADIO K4: Provat biologjike përmenden si thelbësore në të gjitha rastet e dhunës seksuale. Çfarë është prova biologjike dhe pse janë të rëndësishme?
CHIARA TAGLIANI: Provat më të mira biologjike mund të jenë lëngjet e trupit (pështymë, gjak, spermatozoide, flokë, qeliza epiteliale) që viktima ose kryesi i dhunës i lënë njëri-tjetrit, ose që paraqesin skenën e krimit dhe kjo provë është mënyra e vetme për të dëshmuar veprën dhe lidhjen me kryesin e dhunës. Kështu që, kur bëhet fjalë për të mësuar se kush e ka kryer një vepër dhe gjykimin e çështjeve të kësaj natyre të kesh prova të duhura biologjike janë mjeti i vetëm për të dënuar përfundimisht dikë dhe për të dhënë drejtësi për të mbijetuarit.
RADIO K4: Sipas statistikave të Institutit të Mjekësisë Ligjore në lidhje me dhunën seksuale, shumica e viktimave janë prej 11 deri 16 vjeç dhe në 81% të këtyre rasteve autorët janë të njohur për viktimën. Duke e ditur këtë, si mund të mbrohemi?
CHIARA TAGLIANI: Fushata jonë i referohet hapave shumë praktikë që mund të ndërmerren për të mbrojtur vetën. Për shembull, ne kemi përdorur mediat sociale dhe kemi vetëdijesuar veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë që kur të dalin të kujdesen nëse dikush mund të ju vë diçka në pije, sidomos ato alkoolike sepse kjo i bënë më të rrezikuar. Fushata gjithashtu përfshin të gjithë hapat praktikë, por gjithashtu mbrojtja efektive vjen nëse ne dimë më shumë se çfarë është një akt i dhunës seksuale. Nëse dimë ta denoncojmë dhe të ndihmojmë të ndryshojmë kulturën, e cila është një kulturë që në njëfarë mënyre mbron këto akte. Prandaj, fushata jonë përmbledh një përzierje të këtyre hapave që ndihmojnë të shmangun shfaqjen e akteve të tilla, por gjithashtu na mëson se si të mbrojmë vetën dhe shoqërinë nga akti i dhunës seksuale.
RADIO K4: Çfarë duhet të bëjë një viktimë e dhunës seksuale dhe si mund ta raportojë një krim të tillë?
CHIARA TAGLIANI: Fushata jonë referon disa hapa shumë specifikë dhe praktikë që duhet të ndërmarrë viktima. Para së gjithash, të mos pastrohen, të mos i pastrojnë dhëmbët, të mos i ndërrojnë rrobat, të mos hanë ose pijnë. Të gjitha këto janë hapa thelbësorë për të ruajtur provat biologjike. Ne e inkurajojmë viktimën të raportojë rastin sa më shpejt të jetë e mundur, në stacionin më të afërt të policisë ose të telefononi në numrin 192. Gjithashtu nëse viktimat kanë nevojë për ndihmë ata duhet të telefonojnë në zyrën e mbrojtjes së viktimave në linjat falas: 0800 11112 ose zyrat e ndihmës juridike në numrin: 0800 11777.
RADIO K4: A ndikon stigmatizimi apo frika nga kjo çështje në raportimin e rasteve të dhunës seksuale?
CHIARA TAGLIANI: Fakti që dhuna seksuale është një akt i dhunës thellësisht traumatuese dhe shpesh ajo që vjen nga ky akt është një çështje për të cilën nuk flitet. Ne shpesh flasim për këtë edhe në aspektin kulturor se si definohet dhuna në një kulturë që ka seksizëm, maskulinitet të dëmshëm dhe sistem patriarkal. Arsyeja që po e theksoj këtë është për shkak se shpesh fajësimi i viktimës është pjesë e një kulture dhe shpesh për shkak të kulturës viktima nuk mbështetet dhe nuk ka guxim të flasë dhe të raportojë atë që u ka ndodhur. Kjo jo vetëm që është e padrejtë por u pa mundëson njerëzve ta ndryshojnë këtë kulturë dhe i provon viktimat nga fuqizimi dhe guximi për të folur dhe rrjedhimisht për tu rikuperuar nga kjo gjendje. Prandaj, është e rëndësishme të flasim për këtë temë dhe të kemi fushata për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të angazhuar gjithë shoqërinë në këtë aspekt, jo vetëm gratë dhe vajzat por edhe djemtë dhe burrat, sepse ne duhet të bëjmë këtë ndryshim rrënjësor. Për të zhvilluar një shoqëri që nuk do të tolerojë veprime të tilla, shoqëria duhet të fuqizojë viktimën.
RADIO K4: Duke marr parasysh që shumica e viktimave janë të mitura, si mbrohet anonimiteti dhe privatësia e tyre kur raportojnë një krim të kësaj natyre?
CHIARA TAGLIANI: Ekzistojnë dispozita në vend që mbrojnë dhe lejojnë fshehjen e identitetit të të mbijetuarve të dhunës seksuale në rastin e të miturve dhe këto masa zbatohen nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Më lejoni të shtoj, që në raste të tilla ka edhe masa shtesë mbrojtëse nga gjykatat apo proceset gjyqësore. Prandaj, ekzistojnë mekanizma në fuqi për të mbrojtur dhe fshehur identitetin e të gjitha viktimave por në veçanti të të miturve.
RADIO K4: Kur flasim për krime të dhunës seksuale, kemi prirje të besojmë më shumë se preken vetëm gratë/vajzat, a është kjo e vërtetë?
CHIARA TAGLIANI: Jo, nuk është e vërtetë që vetëm gratë ose vajzat janë të prekura, por e vërteta është që gratë dhe vajzat përbëjnë pjesën dërrmuese ose 90% të viktimave të dhunës seksuale. E vërteta definitive është që burrat dhe djemtë mund të jenë të prekur nga dhuna seksuale, veçanërisht djemtë, ku për shkak të cenueshmërisë së tyre më bën të shtrihem pak më shumë mbi fushëveprimin e cenueshmërisë së të mbijetuarve që preken nga krimet e dhunës seksuale. Kjo edhe për shkak të strukturës së natyrës së këtij lloji të veprës penale dhe faktit që shpesh është një akt i abuzimit të forcës dhe pushtetit nga autori i krimit. Kjo është arsyeja pse burrat me të vërtetë, gjithashtu, ndikohen dhe veçanërisht djemtë, që natyrisht janë kategori më e prekshme.
RADIO K4: Cili është mesazhi juaj për dëgjuesit e Radio KFOR-it dhe lexuesit tanë në rrjtete sociale?
CHIARA TAGLIANI: Viktimat nuk janë vetëm, ne jemi të gjithë se bashku! Flisni me kohë! Gjithashtu, dua të shtoj se që nga shtatori i vitit 2020 ‘Konventa e Stambollit’ aplikohet edhe në Kosovë dhe ne si EULEX e mirëpresim ngrohtësisht këtë hap të rëndësishëm të Kuvendit të Kosovës dhe qëndrojmë të palëkundur për të ndihmuar Institucionet e Kosovës, siç është kërkuar edhe nga Presidentja Znj.Osmani e cila përgjatë kësaj rruge sfiduese, ka vendosur kufizimet përfundimtare për dhunën ndaj grave duke përfshirë dhunën seksuale.