13 tetor 2021
Më 12 tetor, Komisioni parlamentar për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës dhe peticione mbajti një seancë dëgjimore publike për projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna kundër grave dhe dhuna në baza gjinore, ku ishin të pranishëm këshilltarja e EULEX-it për çështje gjinore Chiara Tagliani si dhe përfaqësues nga shoqëria civile, ofrues të shërbimeve për viktimat, dhe nga organizatat ndërkombëtare. Gjatë kësaj seance dëgjimore publike, e cila u kryesua nga kryesuesja e komisionit Duda Balje, pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamje rreth projektligjit dhe u dakorduan për rrugën përpara.
Përfaqësuesja nga EULEX-i e mirëpriti iniciativën për hartimin e një ligji që pritet të harmonizojë kornizën ligjore aktuale me standardet e përcaktuara në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, e njohur edhe si Konventa e Stambollit. Znj. Tagliani ritheksoi mbështetjen e Misionit për procesin e hartimit, posaçërisht në tri fusha: avancimin e qasjes shumë-sektorale përmes përcaktimit të obligimeve dhe përgjegjësive të institucioneve të ndryshme dhe shërbimeve të përfshira dhe obligimit të tyre për të bashkëpunuar; zgjerimi i fushëveprimit të urdhrave të mbrojtjes dhe përfshirja e të gjitha viktimave të dhunës në baza gjinore; dhe mbështetja e viktimave të dhunës seksuale, përfshirë shërbimet e specializuara që duhet t’iu vihen atyre në dispozicion.
Përfaqësuesja nga EULEX-i theksoi se Misioni do t’i dërgojë komentet në lidhje me projektligjin me shkrim brenda një muaji.