Lajme

Menaxhimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë – Një punëtori e organizuar nga EULEX-i për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës

22 tetor 2021

EULEX ka organizuar një punëtori për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për mënyrën se si të menaxhohen të burgosurit me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë, e cila përfundoi më 21 tetor në Prishtinë.  Kjo punëtori treditore ka pajisur stafin e SHKK-së me njohuri mbi mënyrën se si t’i dallojnë të burgosurit që shfaqin këto probleme, si dhe i njoftoi ata me mjetet praktike për menaxhimin e suksesshëm të tyre.

Duke e pranuar se menaxhimi i të burgosurve me probleme të shëndetit mendor dhe të varësisë është shumë sfidues, Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, theksoi se EULEX-i ka avokuar për një pjesë të dedikuar në kuadër të SHKK-së me hapësirë adekuate për këtë grup të burgosurve. “Duke pasur parasysh kapacitetin e tepërt të shtretërve nëpër burgjet dhe qendrat e paraburgimit në Kosovë, krijimi i një hapësire të caktuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor do t'i mundësojë SHKK-së që t'i trajtojë këta të burgosur me kujdes të veçantë dhe me vëmendje adekuate”, tha Vahakoski.

Drejtori Zëvendësues i SHKK-së, Ali Gashi, i inkurajoi pjesëmarrësit që t’i shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë praktike të fituara gjatë kësaj punëtorie: “Ekziston nevoja e vazhdueshme për edukim dhe trajnim të stafit të SHKK-së, sepse ne përballemi me sfida të natyrave të ndryshme të cilat duhen trajtuar. Kjo punëtori është jashtëzakonisht e rëndësishme për SHKK-në, veçanërisht për personelin e burgjeve që merren drejtpërsëdrejti me këto çështje në baza ditore".

Thijs Biemans, trajnues dhe këshilltar në Institutin Edukativ të Sistemit Holandez të Shërbimit të Burgjeve, përdori metoda universale të trajnimit gjithë gjithë puntorisë, të cilat janë të zbatueshme kudo në botë, siç është edhe intervistimi motivues. “Pas trajnimit, stafi i SHKK-së duhet të jetë më i vetëdijshëm se si t'i angazhojë të burgosurit për t'i bërë ata të mendojnë për ndryshimet e tyre në jetë”, tha Biemans, duke shtuar se të burgosurve me probleme të shëndetit mendor duhet t'u kushtohet më shumë vëmendje, sepse ata përballen me një rrezik në rritje të depresionit dhe sfidave të tjera të shëndetit mendor.

Që nga muaji shkurt i vitit 2020, këshilltarët korrektues të EULEX-it i kanë mbajtur 16 punëtori të këtij lloji, duke i trajnuar më shumë se 200 zyrtarë të SHKK-së dhe shtatë pjesëtarë të personelit të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Në dhjetor 2020, EULEX-i organizoi gjithashtu një punëtori online për dhjetë zyrtarë të Njësisë për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve të SHKK-së për dy instrumente kontrolluese që e vlerësojnë përdorimin e alkoolit dhe drogës, Testin për Identifikimin e Çrregullimeve nga Përdorimi i Alkoolit (AUDIT) dhe Testin për Identifikimin e Çrregullimeve nga Përdorimi i Drogës (DUDIT).