Lajme

EULEX-i i dhuron automjete Doganës së Kosovës

07 korrik 2015

EULEX-i ia dorëzoi Ministrisë së Financave pesëmbëdhjetë automjete, si donacion për Doganën e Kosovës. 

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit ishin të pranishëm Shefi i EULEX-it, Gabriele Meucci dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna. 

“Dhurimi i automjeteve është pjesë normale e punës së EULEX-it, por në veçanti jam i lumtur që ndodhem sot këtu për t’ia dhënë këto automjete Doganës së Kosovës,” tha Meucci. “Dogana e Kosovës, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm Rafuna, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm për përmirësimin e proceseve të saja dhe për ta luftuar korrupsionin.  Dogana e Kosovës e ka dëshmuar veten se është lider në rajon,” tha Shefi i Misionit EULEX gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit. 

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna e falënderoi EULEX-in për ndihmën dhe përkrahjen e tij. Ai tha se ky donacion do të kontribuojë që puna e këtij institucioni, në veçanti e njësisë së Doganës së Kosovës kundër kontrabandës të jetë sa më efikase.  

“Jam i nderuar që jam këtu sot me z. Meucci, i cili si gjithmonë e ka ndihmuar Doganën e Kosovës me pajisje të ndryshme dhe ndihmën teknike të ofruar nga  stafi i EULEX-it. Me këtë rast, dëshiroj ta falënderoj z. Meucci, i cili ishte përkushtuar personalisht për dhurimin e këtyre automjeteve Doganës së Kosovës. Ky donacion do të na ndihmojë që t’i përmbushim detyrat tona në mënyrë më efikase; automjetet do të përdoren nga njësitë tona kundër kontrabandës. Pa dyshim se donacionet si ky na ndihmojnë neve që t’i arrijmë standardet evropiane, luftimin e evazionit tatimor dhe që reflekton tërthorazi në më shumë të hyra për buxhetin e shtetit, gjë që është pjesë e strategjisë së Qeverisë për luftimin e ekonomisë joformale,” tha Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna gjatë ceremonisë së pranim-dorëzimit të automjeteve. 

EULEX-i tashmë e ka një traditë të gjatë të dhurimit të automjeteve dhe pajisjeve tjera institucioneve të Kosovës në mbështetje të iniciativave për ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatimin e praktikave më të mira.