01 dhjetor 2021
Më 1 dhjetor, një diskutim i rëndësishëm për keqtrajtimin psikologjik si element i dhunës në familje i
bëri bashkë Zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, Shefin e Kabinetit të EULEX-it, Matthias
Zander, Drejtoreshën e OJQ-së “Zensko Pravo/Të Drejtat e Grave/Women’s Rights”, Ruzhica Simiq,
Drejtoreshën e Projekteve të OJQ-së “Zensko Pravo/Të Drejtat e Grave/Women’s Rights”, Tijana Simic
La Valley, Drejtoreshën e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli dhe Zyrtarin për
Mbrojtjen e Viktimave, Burhan Maxhuni.
Zëvendësministrja e Drejtësisë së Kosovës, Nita Shala, tha se ka shumë pak informacione për
manipulimin mendor dhe keqtrajtimin psikologjik si lloj i dhunës në familje: “Anketat e kryera në
Kosovë tregojnë se 53% e grave dhe vajzave konfirmojnë se kanë përjetuar dhunë psikologjike.
Neni 248 i Kodit të ri Penal që ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2019 e trajton dhunën në familje si
vepër penale më vete në të gjitha format e saj: fizike, seksuale, ekonomike dhe psikologjike.”
Zëvendësministri Shala nënvizoi domosdoshmërinë që të gjitha sjelljet kërcënuese ndaj viktimës të
njihen dhe raportohen nga viktima.
“Për ta trajtuar dhunën psikologjike në mënyrë gjithëpërfshirëse, është i nevojshëm ndërgjegjësimi,
por në të njëjtën kohë reagimi i punonjësve të policisë, ndjekja penale e akteve të dhunës
psikologjike, reagimi nga institucionet përgjegjëse dhe aftësia e të mbijetuarve për ta njohur dhunën
psikologjike
kur ajo ndodh është gjithashtu i nevojshëm.”
Shefi i Kabinetit në EULEX, Matthias Zander, tha se keqtrajtimi psikologjik si aspekt i dhunës në
familje shpesh nuk konsiderohet si i tillë sepse shenjat e tij nuk janë gjithmonë të dukshme.
“Ne jemi sot këtu për ta trajtuar një aspekt të dhunës në familje që shpesh nuk konsiderohet si i tillë
sepse nuk është i dukshëm si mavijosjet: manipulimi mendor dhe keqtrajtimi psikologjik. Manipulimi
mendor (Gaslighting) është një shprehje e re në shumë nga gjuhët tona.
Ajo tregon një formë manipulimi që përdoret për ta bërë viktimën të vërë në dyshim perceptimin e
saj të realitetit me efektin e kurthimit të mëtejmë të viktimave në marrëdhënie keqtrajtuese.
Mungesa e pavarësisë sociale dhe ekonomike i bën gratë gjithnjë e më të ndjeshme ndaj manipulimit
mendor.”
Drejtoresha e OJQ-së “Zensko Pravo/Të Drejtat e Grave/Women’s Rights”, Ruzhica Simiq, e prezantoi
fushatën ndërgjegjësuese “S’ka mavijosje ≠ S’ka dhunë. Shenjat e dhunës nuk janë gjithmonë të
dukshme”, e cila synon të inkurajojë viktimat që ta denoncojnë dhunën psikologjike në polici.
“Faleminderit EULEX-it për këtë fushatë brilante, e cila është e qasshme për të gjithë qytetarët e
Kosovës, veçanërisht për viktimat, të cilat, në këtë mënyrë, fitojnë më shumë besim për ta raportuar
dhunën”, tha Simiq, duke shtuar: “Ndryshimet në legjislacion, përkatësisht përfshirja e Konventës së
Stambollit në Kushtetutë, është një zhvillim pozitiv në Kosovë sepse tregon një mbështetje të
drejtpërdrejtë institucionale në luftën kundër dhunës në baza gjinore. Ne e dimë se jetojmë në një
shoqëri patriarkale dhe gratë shpesh trajtohen si modeste, të viktimizuara, madje edhe të
nënshtruara. Nëse një grua fillon t’i mbrojë të drejtat e saj, ajo shpesh konsiderohet si problem nga
familja, shoqëria dhe ndonjëherë edhe institucionet, në vend që të jetë në qendër të vëmendjes
sonë për t’i zgjidhur problemet e saj. Kjo është arsyeja pse rritja e ndërgjegjësimit për këtë lloj dhune
në qasjen e të gjithë shoqërisë është jashtëzakonisht e rëndësishme.”
Gjatë kësaj fushate ndërgjegjësimi nëpër tërë Kosovën do të vendosen pano, si dhe reklama në
internet.
Shikoni diskutimin këtu (në gjuhën e folësve):