Lajme

Intervistë me Zëvendësministren e Drejtësisë të Kosovës, Nita Shala

09 dhjetor 2021

Zëvendësministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nita Shala, flet për rëndësinë jashtëzakonisht të madhe për një kundërpërgjigje të koordinuar nga të gjithë aktorët përkatës në mënyrë që të eliminohet dhuna në baza gjinore.

Intervistën e plotë, e cila është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta EULEX-PSBE për fushatën 16 Ditë të Aktivizmit, mund ta lexoni këtu:

1. Pikë së pari, si quhet ky fenomen: Dhunë në familje? Dhunë në bazë gjinore? Dhunë seksuale? Dhunë kundër grave?
 
Shala: “Dhuna është një fenomen kompleks dhe i shumëanshëm, që mbulon një shumëllojshmëri të gjerë sjelljesh, situatash dhe marrëdhëniesh emocionale dhe fizike me ndryshime të shpeshta mes viktimës dhe kryerësit të veprave. Si e tillë, ekziston nevoja për të avancuar kuptimin shkencor të fenomenit dhe për të ndërmarrë hapa për të përcaktuar me ligj këto forma të dhunës. Kodi i ri Penal na çon një hap përpara drejt kuptimit dhe luftimit më të mirë të këtij fenomeni, duke e përcaktuar “dhunën në familje” si vepër penale specifike. Forma të tjera të dhunës mund të gjurmohen në këtë apo dispozita të tjera të Kodit Penal. Për këtë problem kompleks social, ka nevojë për një qasje gjithëpërfshirëse dhe shumë-sektoriale me ekzekutivin, zbatimin e ligjit dhe gjyqësorin, që kanë role vendimtare për të luajtur.”
 
2. Në portofolion tuaj ju keni çështje shumë të rëndësishme, përfshirë vetingun. Sa i rëndësishëm është luftimi i dhunës në baza gjinore në agjendën e Ministrisë së Drejtësisë?
 
Shala: “Vizioni i kësaj qeverie është të ketë një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, efikas dhe profesional. Procesi i vetingut është mekanizmi përmes të cilit besojmë se do të arrijmë të kemi një prokurori dhe gjyqësor efikas, të pandikuar dhe të barabartë për çdo qytetar të Republikës sonë. Dhe ky është vetëm një nga pesë objektivat strategjikë të Ministrisë së Drejtësisë. Parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje është një tjetër objektiv strategjik, po aq i rëndësishëm dhe sfidues; për të cilën jam e përkushtuar të arrijmë sukses.”
 
3. Ju jeni duke e udhëhequr hartimin e strategjisë nacionale të re për luftimin e këtij fenomeni, si po arrini koordinimin mes të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit?
 
Shala: “Duke zhvilluar sa më shumë diskutime, me sa më shumë individë. Kjo është një strategji në të cilën kontributi i shoqërisë civile, mediave, çdo qytetari të Republikës është i vlefshëm dhe i rëndësishëm për t'u adresuar. Krahas dy punëtorive të grupeve të punës që janë mbajtur, kam ftuar në takime konsultative të gjithë punonjësit që punojnë në organet e angazhuara kundër këtij fenomeni. Deri më tani janë zhvilluar 11 takime konsultimi, me më shumë se 200 persona. Jam mirënjohëse për përgjigjen pozitive nga të gjitha palët, si dhe nga partnerët ndërkombëtarë strategjikë që ndihmuan me ekspertizën e tyre dhe në mënyra të tjera në hartimin e strategjisë.”
 
4. Përse është kjo e rëndësishme? Në terme praktike, çfarë ndryshime do të sjellë kjo strategji për viktimat e dhunës?
 
Shala: “Strategjia bazohet në vizionin: “Një shoqëri ku të gjithë janë të sigurt dhe të barabartë dhe jetojnë pa frikën apo kërcënimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, duke synuar parandalimin dhe mostolerimin e dhunës, mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave dhe kërkimin e llogaridhënies prej kryerësve të veprave.” Si e tillë, ajo përfshin aktivitete që synojnë në radhë të parë parandalimin e dhunës, forcimin e reagimit institucional për mbrojtjen dhe trajtimin e viktimave dhe ofrimin e rehabilitimit dhe riintegrimit të qëndrueshëm të viktimave.”
 
5. Kohëve të fundit një dhunues seksual i një vajze pesëmbëdhjetë vjeçare u dënua vetëm me pak muaj burgim, çka shkaktoi reagime të ashpra në Kosovë. A mundeni ju, si koordinatore nacionale, të bëni ndonjë gjë rreth këtyre dënimeve të ulëta?
 
Shala: “Dënimet tepër të ulëta të autorëve të dhunës në familje më nxisin të marr masa si koordinatore nacionale dhe si Zëvendësministre e drejtësisë. Si koordinatore nacionale, unë përdori mekanizmin e grupit punues ndërministror për t'i diskutuar ato me përfaqësues të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, për të bërë pyetje dhe për të pritur një reagim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në strategjinë nacionale kam insistuar që si aktivitet specifik të përfshihet edhe “rishikimi i aktakuzave dhe dënimeve nga ana e kolegëve”. Rishikimi nga kolegët është një proces në të cilin prokurorët dhe gjyqtarët e pavarur analizojnë një numër specifik të aktakuzave nga prokurorët dhe vendimet e gjyqtarëve për të identifikuar sfidat dhe për të dhënë rekomandime për zbatimin e ligjit në të ardhmen. Mund të presim të shohim dënime më të përshtatshme nëse gjykatat ndjekin shembullin e prokurorisë dhe caktojnë gjyqtarë të specializuar për t’u marrë kryesisht me rastet e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ky është një tjetër aktivitet i përfshirë në strategjinë nacionale. Si Zëvendësministre e drejtësisë, kjo më bind për domosdoshmërinë për të ecur përpara me procesin e vetingut, një mekanizëm për të garantuar profesionalizëm, etikë dhe sistem të drejtë të drejtësisë.”   
 
6. Dhuna në familje është fenomen në mbarë botën. Çka mund të mësojë Kosova prej shteteve të tjera, në veçanti shteteve nga rajoni?
Shala: “Kosova mund të mësojë nga praktikat e mira nga vendet e rajonit, duke imituar atë që funksionon. Përpiqem të identifikoj praktika efikase për t'i përshtatur ato në kontekstin tonë. Kam kërkuar informacion në lidhje me strehimoret e rasteve të ngacmimit seksual në të gjithë Maqedoninë e Veriut dhe jam mbështetur në njohuritë e ekspertëve me bazë në Shqipëri në lidhje me këtë fenomen.”  
 
7. Strehimoret për viktimat e dhunës në familje/dhunës në baza gjinore për vite të tëra janë të financuara pamjaftueshëm, çka është duke bërë qeveria për t’i bërë ato të funksionojnë si alternativa të vërteta tek të cilat viktimat mund të kenë besim?
Shala: “Duke kuptuar mungesën e stabilitetit financiar për strehimoret, një ekip pranë Ministrisë së Drejtësisë po punon për krijimin e linjës buxhetore për strehimoret. Ne jemi të përkushtuar që strehimoret të mos jenë vetëm një “strehë” përsa i përket strehimit, por një vend ku viktimat do të ndihen të sigurta dhe të mbrojtura, të kenë mundësinë të kryejnë aktivitete të ndryshme dhe të ndihmojnë në fuqizimin personal dhe financiar.”