Lajme

Raporti nga monitorimi në drejtësi i prezantuar nga EULEX-i

17 dhjetor 2021

Më 16 dhjetor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) prezantoi Raportin e tij të fundit nga monitorimi sistemik dhe tematik në drejtësi për periudhën mars 2020 - tetor 2021.  Raporti bazohet në gjetjet nga monitorimet e 295 rasteve dhe 378 seancave dhe rekomandime specifike për përmirësimin e sistemit të drejtësisë nga ana e autoriteteve të Kosovës. 

Gjatë prezantimit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha: “Jemi të përkushtuar që ta qojmë përpara agjendën qeveritare në sundimin e ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë. Drejtësia e pavarur, e paanshme, efikase dhe profesionale është vizioni ynë, prandaj do të angazhohemi dhe do të punojmë shumë në këtë drejtim.” 

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se Misioni është duke përdorur një metodologji unike përmes monitorimit të thuktë të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile. “Falë bashkëpunimit dhe mbështetjes nga homologët tanë nga Kosova, ky tipar i monitorimit deri më tani është duke funksionuar mirë,” tha Wigemark, duke shtuar: “Rekomandimet që ne i japim në raportin tonë nuk janë detyruese. Ato janë reale dhe mund të kenë efekt pozitiv mbi efikasitetin, llogaridhënien dhe integritetin e sundimit të ligjit në Kosovë, përderisa të ekzistojë vullnet për zbatimin e tyre.”

Gjatë prezantimit të gjetjeve dhe rekomandimeve kryesore nga raporti, Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster, theksoi përdorimin e tepruar të monitoruar të masës së paraburgimit, e cila do të duhej të urdhërohej vetëm si masë e fundit, dhe kohëzgjatjen e tepruar e paraburgimeve. Van Eck Koster po ashtu tha se 30% e seancave të monitoruara ishin joproduktive dhe ishin shtyrë pa ndonjë progres domethënës, gjë që ka efekt negativ mbi sistemin e drejtësisë meqë kjo e zgjatë procedurën. Ai po ashtu theksoi mungesën e progresit në trajtimin e disa rasteve të profilit të lartë dhe ish-rasteve të EULEX-it. 

Pas prezantimit të raportit, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha: “Rol të madh në iniciativat tona për përmirësimin e fushave të caktuara në gjyqësor luajnë edhe partnerët tonë ndërkombëtar si dhe puna e juaj qoftë përmes asistencës, apo edhe përmes raporteve të tilla. Krejt në fund, dëshiroj të theksoj që për ne është tejet e rëndësishme që gjatë rrugës tonë të kemi përkrahë partnerët tonë dhe bashkërisht të arrijmë synimin tonë për avancimin e sistemit gjyqësor të Kosovës.” 

Duke u përqendruar në rekomandimet e raportit, Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, tha: "Rekomandimet e dalura nga ky raport e që kanë të bëjnë me Sistemin Prokurorial të Kosovës, do të adresohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, tek secila njësi kompetente brenda Sistemit Prokurorial. Një pjesë e këtyre rekomandimeve veç se kanë progres të matshëm, pasi për to ka një kohë që është duke u punuar.”

Drejtori i Divizionit të Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve, Fatos Makolli, tha: “Duke marrë me seriozitet rekomandimet që kanë rezultuar nga këto vlerësime, Policia e Kosovës në vazhdimësi ka investuar në ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale, integritetit dhe edukimit të zyrtarëve të saj, sidomos në fushën e parandalimit dhe hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Si rrjedhojë, nuk kanë munguar edhe rezultatet dhe suksesi, i njohur jo vetëm nga mekanizmat vendorë por edhe ndërkombëtarë duke e bërë Policinë e Kosovës ndër institucionet më të besueshme në Kosovë.”

Ky prezantim u mbajt në Prishtinë dhe mblodhi përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile për sundimin e ligjit, mediat dhe organizatat ndërkombëtare të angazhuara në fushën e drejtësisë, të cilët patën mundësinë të bënin pyetje dhe të diskutonin për gjetjet dhe rekomandimet e raportit.

Raportin mund ta gjeni këtu: 

https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/RaportiAL162021.PDF

Fletën me fakte mund ta gjeni këtu: 

https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/Factsheet_AL162021.PDF

Videon e prezantimit mund ta gjeni këtu (në gjuhën e folësve): https://www.facebook.com/EULEX.KOSOVO/videos/331645962127214

Audion e prezantimit mund ta gjeni këtu:

Info: EULEX-i bënë vlerësimin e funksionimit të Policisë së Kosovës, prokurorisë dhe gjyqësorit nga aspekti i përputhshmërisë me të drejtën procedurale, substanciale dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit sistemik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura penale dhe civile, përfshirë raste që kanë qenë nën shqyrtim të EULEX-it deri në qershor 2018 në kuadër të mandatit të tij të kaluar ekzekutiv. Monitorimi i thuktë mbulon tërë zinxhirin e drejtësisë penale (policinë, prokurorinë dhe gjykatat) si dhe aspekte të caktuara të sistemit të drejtësisë civile. Nga janari 2019, pas përfundimit të dorëzimit të dosjeve të rasteve të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit tek autoritetet  e Kosovës në dhjetor 2018, deri në tetor 2021, monitoruesit e EULEX-it në drejtësi kanë vijuar 1064 seanca gjyqësore, që përfshijnë raste të profilit të lartë, raste të krimeve të luftës, raste të dhunës në baza gjinore, raste të korrupsionit, dhe raste që në të kaluarën janë shqyrtuar nga EULEX-i. Kjo ka rezultuar me pesë raporte me gjetje dhe rekomandime për përmirësime në sistemin e sundimit të ligjit për t’iu ndihmuar institucioneve kosovare të drejtësisë për arritjen e një përputhshmërie më të mirë me ligjet e Kosovës dhe standardet për të drejtat e njeriut.