Lajme

Fjalimi i Shefit të Misionit në Konferencën Vjetore të Prokurorëve 2022 më 11 shkurt 2022

16 shkurt 2022

E nderuara Ministre e Drejtësisë Haxhiu, i nderuari Kryeprokuror Lumezi, i nderuari Kryesues i KPK-së Maloku, i nderuari Kryetar i Gjykatës Supreme Peci, i nderuari Ambasador i SHBA-ve Hoevenier, i nderuari Ambasador i BE-së Szunyog,

Diskutuesit e nderuar të cilët kanë folur tashmë këtë mëngjes e theksuan rolin themelor të një prokurorie profesionale, të pavarur, të paanshme dhe objektive në çdo sistem të sundimit të ligjit, veçanërisht këtu në Kosovë.

Sipas mandatit aktual të tij, EULEX-i është i angazhuar në monitorimin e thellë të gjithë zinxhirit të drejtësisë në Kosovë; duke i përcjellë rastet nga faza e hetimit dhe ndjekjes penale deri në ekzekutimin e aktgjykimit si dhe kushtet në shërbimet korrektuese.

Monitorimi ynë nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin dhe profesionalizmin e homologëve tanë kosovarë duke i përfshirë edhe prokuroritë. Ndaj, unë do të doja t’i përshëndes prokurorët e shumtë që mëtojnë t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë profesionale, të përgjegjshme dhe objektive.   

Ne jemi këtu si partnerë. Në fakt, shpeshherë na kërkohet nga prokurorët që t’i monitorojmë disa prej rasteve të tyre, veçanërisht kur ka ndikim të padrejtë nga jashtë në procedurat ligjore. Prokurorët duhet të ndjehen të sigurtë nga një ndërhyrje e tillë – çfarëdo forme që mund ta ketë ajo.

Një faktor që nuk është përmendur ende mëngjesin e sotëm, megjithëse Ministrja e Drejtësisë aludoi në të, është ai që unë do ta quaja “faktori i frikës”. Si prokurorët ashtu edhe gjyqtarët janë ende shpesh të ekspozuar ndaj formave të ndryshme të frikësimit, kërcënimeve dhe madje edhe sulmeve të drejtpërdrejta, veçanërisht kur kanë të bëjnë me të pandehur me ndikim.

Për të pasur prokurorë aktivë që i ndjekin rastet ku përfshihen të pandehur me ndikim, ata dhe familjet e tyre duhet të ndjehen të sigurtë. Në të njëjtën mënyrë, dëshmitarët duhet të mbrohen dhe siguria e tyre duhet të garantohet ashtu që drejtësia penale të mbizotërojë. Një gjyqësor i ndikuar drejtpërdrejt nga aktorë dhe forca të jashtme nuk mund të jetë kurrë i pavarur dhe i paanshëm.

Çdo diskutim për forcimin e integritetit, profesionalizmit, pavarësisë dhe paanshmërisë së sistemit të prokurorisë, nuk mund ta anashkalojë këtë “faktor frike”. Nëse prokurorët ndjehen dhe janë mjaft të mbrojtur, ata do të jenë gjithashtu më efikas.

Prandaj, çështja nuk është vetëm se si të sigurohet që performanca dhe integriteti i prokurorëve t’i përmbushë standardet më të larta, por edhe si të sigurohet që prokurorët dhe gjyqtarët të mbrohen nga presioni, frikësimet dhe kërcënimet e panevojshme ndaj tyre dhe familjeve të tyre.  

Në ‘Raportet tona të Monitorimit të Drejtësisë’, i fundit që u publikua në mes të dhjetorit, ne theksuam një sërë gjetjesh dhe rekomandimesh praktike në lidhje me prokurorinë.

Së pari, cilësia e hetimeve, fuqia e aktakuzave dhe përkushtimi i prokurorëve në të gjitha fazat e procedurës penale janë thelbësore për ndjekjen e suksesshme penale të krimeve.  

Mund të duket e qartë, por monitorimi ynë zbuloi se hetimet e profilit të lartë, përfshirë krimet e rënda që përfshijnë korrupsionin, shpesh pësuan vonesa, pengesa dhe madje përfunduan duke u mbyllur pa i analizuar të gjitha pistat e mundshme. Pse? Prokuroria thjesht nuk është mjaft aktive, ose i mungojnë burimet.

Ndërsa shumë prokurorë i mbrojtën me forcë rastet dhe aktakuzat e tyre në gjykatë, të tjerët janë më pak të përgatitur, duke treguar përkushtim të kufizuar. Dhe shumë shpesh ata as nuk paraqiteshin në gjykata pa e dhënë ndonjë arsyetim për mungesën e tyre.

Kjo është një praktikë e papranueshme, e cila rezulton në një numër seancash 'joproduktive' që duhet të shtyhen përsëri. Kjo është humbje kohe, jo vetëm për një gjyqësor tashmë të mbingarkuar me një numër të madh të lëndëve të grumbulluara, por edhe për qytetarët dhe taksapaguesit e Kosovës.  

Këtu do ta vendosja "barrën e provës" më tepër mbi gjyqtarët që po lejojnë që kjo praktikë të vazhdojë. Thjesht nuk është e pranueshme, për shembull, që një avokat mbrojtës të thotë se ai ose ajo është shumë i zënë kur një seancë është caktuar shumë më përpara. Praktika të tilla duhet të rezultojnë në një qortim dhe raport me shkrim nga kryetari i trupit gjykues që e mbikëqyr gjykimin.

Përsa i përket prokurorëve, ata para së gjithash duhet t’i çmojnë viktimat e krimit; viktimat e krimit nuk janë thjesht aktorë pasivë, por janë bartës të drejtave; ata kanë të drejtë për drejtësi, për dëmshpërblim, për mbrojtje nga dëmtimet e mëtejshme. Kurse prokurorët e kanë një rol jetik për ta luajtur në mbrojtje të këtyre të drejtave themelore të njeriut.  

Dhuna në baza gjinore janë raste të tilla. Ndërsa monitorimi ynë po nxjerr në pah se si në shumë raste të përdhunimeve, procedura e referimit të viktimave në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjekësor dhe marrjen e provave biologjike mbetet e paqëndrueshme dhe shpesh varet nga niveli i angazhimit të prokurorit përgjegjës.  

Kjo është e papranueshme. Prandaj, Misioni ynë po i mbështet institucionet e Kosovës në hartimin e një protokolli për referimin e viktimave të dhunës seksuale në përputhje me Konventën e Këshillit të Evropës për luftimin dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje – e njohur më mirë si “Konventa e Stambollit”.

Përderisa çdo formë e diskriminimit në sistemin ligjor bazuar në gjini, përkatësi etnike apo klasë shoqërore është e papranueshme, nuk duhet ta injorojmë faktin se një prokuror që është i stërngarkuar me punë nuk mund të jep rezultate. Prandaj, autoritetet duhet të sigurojnë që prokuroritë e ndryshme në Kosovë të kenë personel të mjaftueshëm, jo vetëm prokurorë por edhe zyrtarë ligjorë të kualifikuar dhe staf mbështetës, duke përfshirë përkthyes dhe interpret të mjaftueshëm për gjuhët e pakicave.

Rritja e fundit e numrit të prokurorëve në Departamentin për Krime të Luftës të PSRK-së është një hap në drejtimin e duhur; megjithatë, nevojiten më shumë burime për t’i ndjekur krimet e luftës, rastet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe formave tjera të krimit të rëndë.

Rekrutimi i prokurorëve të rinj është aktualisht në proces dhe të gjithë shpresojmë që ky proces ta identifikojë një grup prokurorësh të përkushtuar dhe të larmishëm. Është e nënkuptueshme që në një shoqëri me sundim të ligjit, proceset e rekrutimit duhet të bazohen vetëm në merita; kurse kandidatët e talentuar nuk duhet të dekurajohen nga aplikimi për shkak se nuk kanë "lidhjet e duhura", ose sepse mund të fitojnë më shumë para duke punuar në zyrën private.  

Të kesh një grup prokurorësh të aftësuar mirë, të sigurt dhe me përvojë është një pasuri e vërtetë për çdo shoqëri. Pa një prokurori të fortë dhe të pavarur, sundimi i ligjit do të vuajë përgjithmonë.

Po aq të rëndësishëm janë hetuesit me vendosmëri dhe profesionistë të policisë, të cilët punojnë krah për krah me prokurorinë, si dhe gjyqtarët, të cilët janë vërtet të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm. Por pa prokurorë të përkushtuar dhe me vendosmëri dhe me integritet të lartë drejtësia nuk do të triumfojë kurrë.  

Faleminderit për vëmendjen tuaj.