04 prill 2022
Më 30 mars, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës dhe EUKOJUST, e përmbyllën punëtorinë dyditore për mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që merren me rastet e korrupsionit.
Kjo punëtori, në të cilën u mblodhën rreth 20 gjyqtarë dhe prokurorë nga Prokuroria Speciale, Departamenti Special i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe Gjykata e Apelit, ofroi një platformë ku profesionistët e drejtësisë diskutuan hapur për përvojat e tyre profesionale.
“Në rastet që i monitorojmë ne, kemi identifikuar se si gjyqtarët ashtu edhe prokurorët kanë qenë cak i llojeve të ndryshme të kërcënimeve apo presioneve. Kjo ka ndikuar në punën e gjyqtarëve apo prokurorëve dhe shpesh ka ndikuar në ritmin e hetimeve apo të gjykimeve. Ne e përgatitëm këtë punëtori për të gjetur mënyra ashtu që sistemi i drejtësisë t’i parandalojë këto lloje kërcënimesh dhe t’i përgatisë gjyqtarët të cilët mund të bëhen cak gjatë procesit”, tha Florin Cretu, Monitor Mobil i EULEX-it dhe menaxher i projektit.
Në prani të Zëvendës Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zëvendës Kryetarit të Gjykatës Supreme, pjesëmarrësit identifikuan kërcënimet dhe rreziqet e përbashkëta të punës së tyre të përditshme dhe propozuan zgjidhje që do të siguronin mbrojtjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve që merren me rastet e korrupsionit.
Punëtoria u fokusua edhe në bashkëpunimin ndërmjet sistemit gjyqësor të Kosovës dhe mediave, si dhe nevojën për një marrëdhënie më simbiotike ndërmjet tyre. Kreshnik Gashi, autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, e theksoi rëndësinë e komunikimit transparent gjyqësor për parandalimin e krimit. “Një nga qëllimet kryesore të sistemit të drejtësisë është edhe parandalimi i krimit, jo vetëm luftimi i tij”, tha Gashi, i cili foli edhe për përvojën e tij të gjerë në monitorimin dhe raportimin e rasteve me të cilat merret sistemi i drejtësisë së Kosovës.
Rëndësia e krijimit të kanaleve solide të komunikimit dhe një marrëdhënie të bazuar në besim ndërmjet mediave dhe institucioneve të drejtësisë u shtjellua edhe nga Ioanna Lachana, Shefe e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënëse e EULEX-it. Lachana vuri në dukje se prokuroritë dhe gjykatat duhet të komunikojnë në mënyrë proaktive me publikun për punën e tyre. Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë, tha Lachana.