Lajme

Pikëkalimet e përbashkëta në Merdarë dhe Mutivodë tani plotësisht funksionale

05 prill 2022

Një përparim pozitiv në drejtim të zbatimit të Protokollit Teknik për MIK të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja u bë më 21 mars 2022 kur autoritetet serbe u vendosën në objektet e reja në Pikëkalimin e Përbashkët (PKP) në Mutivodë, i cili tashmë është plotësisht funksional. Përveç kësaj, autoritetet serbe hapën me sukses të dyja anët e PKP-së në Merdarë më 14 mars, 17 muaj pasi u vendosën në këtë PKP.

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (PSBE-DBP) e lehtësoi vendimin për funksionalizimin e plotë të dy PKP-ve, ndërsa Njësia për Mbështetjen e Dialogut aktualisht nën drejtimin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë ( EULEX) ka ndihmuar në bashkërendimin e procesit të tranzicionit në të dy PKP-të, funksionalizimi i plotë i të cilave pritet ta zvogëlojë ndjeshëm kohën e pritjes për pasagjerët, duke bërë një ndryshim në jetën e të gjithë qytetarëve që i përdorin ato. Në rastin e PKP-së në Mutivodë, PSBE-DBP dhe EULEX-i gjithashtu siguruan që autoritetet serbe të mund të kalonin me sukses në objektet e reja, falë bashkëpunimit të ngushtë me Zyrën e OKB-së për Shërbime të Projekteve (UNOPS), e cila i kreu punimet infrastrukturore dhe të  mirëmbajtjes.

Gjatë vizitës së Shefit të Shtyllës së EULEX-it për Monitorim, Benny Tollestrup Jensen, dhe Këshilltarit të Lartë për MIK për Dialogun Beograd-Prishtinë, Alan Wilson në Merdarë dhe Mutivodë më 25 mars, përfaqësuesit e lartë të Policisë dhe Doganës së Kosovës dhe të Serbisë e shprehën falënderimin e tyre për Bashkimin Evropian për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të ofruar për sigurimin e funksionimit efektiv dhe efikas të PKP-ve.

PKP-të në Merdarë dhe Mutivodë janë objekte të avancuara të financuara nga BE-ja dhe janë hapur në bazë të Protokollit Teknik për MIK të rënë dakord ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Autoritetet e Kosovës u vendosën në PKP-në në Merdarë në tetor 2018 dhe në PKP-në në Mutivodë në korrik 2019. Protokolli parashikon krijimin e gjashtë PKP-ve ku qëllimi kryesor është promovimi i bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe. Të gjitha gjashtë PKP-të e parapara vazhdojnë të jenë funksionale dhe e kanë përmirësuar jashtëzakonisht shumë kalimin e papenguar të qytetarëve dhe tregtarëve nga Kosova dhe Serbia.