14 prill 2022
Më 14 prill, në kuadër të kornizës për bashkëpunim ndërmjet policisë-prokurorisë, kryeprokurorët e të gjitha shtatë prokurorive themelore dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës i diskutuan ndryshimet e mundshme në Projektligjin për Armët e zjarrit në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) me iniciativë të Kryeprokurorit të Pejës, Agim Kurmehaj.
Domosdoshmëria për ta sqaruar dhe harmonizuar interpretimin e dispozitave ligjore të këtij projektligji me Kodin Penal ishte thelbi i diskutimeve.
Në fjalën hyrëse të tij, Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert Van Eck Koster, i falënderoi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive themelore dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës për trajtimin e një teme kaq të rëndësishme, dhe tha se: “Dhuna me armë mund të sjellë deri te shkelja e të drejtës më themelore të njeriut – të drejtës për jetë”. Ai, gjithashtu e përmendi domosdoshmërinë e adresimit të problemit të qarkullimit të armëve ilegale në Kosovë me anë të një qasjeje të bashkërenduar.
Diskutimet në këtë tryezë të drejtuar nga Kurmehaj, i cili i inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të bënin propozime konkrete, përfshinë tema të ndryshme si: blerja, posedimi, bartja dhe përdorimi i armëve, llojet e armëve, leja dhe licenca, shitja dhe tregtimi, si dhe politika ndëshkimore.