24 maj 2022
Jam i lumtur që jam këtu me ju në shënimin e 15-vjetorit të Kapacitetit të Planifikimit dhe Veprimit Civil. Ky është rast i mirë për të kthyer vëmendjen tek dimensioni civil i PPSM. Dua të falënderoj Komandantin e operacioneve civile dhe Drejtorin e KPVC për organizimin e këtij evenimenti.
Konferenca e sotme ka analizuar kontributin e PPSM civile në sigurinë e partnerëve tanë - në rajonin tonë dhe më gjerë. Dhe më tej, në sigurinë tonë.
Sot fokusi është mbi një objektivë të vetme urgjente: “formësimi i PPSM civile për të ardhmen”. Këtë e arrijmë në përputhje me qëllimet e përcaktuara në Kompasin Strategjik, i cili është dokumenti ynë udhëzues për sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës në të ardhmen.
Gjatë konferencës kemi patur fjalime nga shumë personalitete që kanë çuar përpara PPSM civile gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, përfshirë ish-komandantë të operacioneve civile. Shumë shpejt ata do të nderohen për kontributin e dhënë.
Misionet civile: bartës standard për mënyrën evropiane në çështjet e sigurisë
Që nga viti 2007, KPVC , Shtabi për misionet tona civile, ndihmoi PPSM civile që të bëhet instrument i fuqishëm i BE-së për trajtimin e situatave të krizave nëpër botë.
Kemi mjaftë arritje për të cilat duhet të jemi krenarë. Në përgjithësi, ne kemi vendosur 23 misione civile nëpër botë, që nga misioni ynë i parë në vitin 2003.
Aktualisht kemi 11 misione që punojnë në tri kontinente. Secili është duke dhënë kontribut të vlefshëm për 'qasjen e integruar' të BE-së dhe për reputacionin tonë si një aktor global i sigurisë. Kemi rreth 2000 gra dhe burra që punojnë krah për krah me homologët e tyre të shteteve nikoqire.
Ajo që ata ofrojnë është formë unike e ndihmës. Partnerët tanë na drejtohen për këshilla dhe ekspertizë mbi një gamë të gjerë sfidash vendore dhe ndërkombëtare nga fusha e sundimit të ligjit. Dhe kjo kërkesë me siguri se do të rritet në botën tonë gjithnjë më të paqëndrueshme dhe të kontestuar.
Vlera e shtuar e misioneve tona buron nga një përbërës kryesor: cilësia e personelit të deleguar nga shtetet tona anëtare, të cilët sjellin ekspertizë specifike dhe gjithashtu valojnë flamurin për vlerat evropiane.
Ata janë zyrtarë policorë, ekspertë kundër terrorizmit, prokurorë, gjyqtarë, vëzhgues kufitarë, specialistë mjeko-ligjorë, roje bregdetare, specialistë të sigurisë kibernetike dhe kërcënimeve hibride, këshilltarë për çështje gjinore dhe të të drejtave të njeriut.
Ne e përshëndesim përkushtimin e tyre. Detyrat e tyre janë të ndryshme dhe shpesh kryhen në kushte të vështira. Por të gjithë i shërbejnë të njëjtit objektiv strategjik: një botë më e sigurt.
Sot, unë dua të përqendrohem në disa prej misioneve tona më emblematike si në të kaluarën ashtu edhe në të tashmen. Të bëj një ilustrim të gamës së veprimeve tona dhe aftësive tona për arritjen e rezultateve. Dua të përqendrohem edhe tek nevoja për t'u përgatitur për sfidat e ardhshme. Pra, uluni dhe relaksohuni, ndërsa unë ju çoj në një udhëtim historik dhe gjeografik.
EUCAP Somalia: kapacitetet civile – ushtarake që punojnë së bashku në të njëjtën skenë për efekt maksimal
Në fillim të vitit 2000, ne u përballëm me një shpërthim të piraterisë në Bririn e Afrikës. Ajo po kërcënonte korsitë e transportit detar jetik për interesat ekonomike të Evropës. Reagimi ynë i PPSM ishte i shënjestruar, progresiv dhe gjithëpërfshirës.
Së pari, një operacion detar u vendos tej bregut të Somalisë. Dhe më pas dy misione - një ushtarak dhe një civil - u vendosën brenda Somalisë. Qëllimi i tyre i përbashkët ishte përforcimi i kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së autoriteteve somaleze. Për t'iu ndihmuar atyre të luftonin jo vetëm piratët që vepronin në det, por edhe për të përmirësuar situatën e sigurisë së brendshme në breg.
EUCAP Somalia u dha autoriteteve detare aftësitë dhe pajisjet e nevojshme për të kryer një funksion bazë të rojës bregdetare. Larg bregut, ai ndihmoi gjithashtu në trajnimin e rreth 700 pjesëtarëve të forcës federale Darwish, një forcë policore e fuqishme e mandatuar për të siguruar territoret e çliruara nga kontrolli i Al Shabbah.
Sot, Somalia ende përballet me sfida masive të sigurisë së brendshme. Por falë përpjekjeve tona të PPSM, pirateria më nuk është kërcënim i madh për transportin ndërkombëtar detar në brigjet e Bririt të Afrikës. Kjo është një histori suksesi dhe nuk duhet të jemi modest ta theksojmë.
EUPOL Afganistan: investimi nga partnerët është çelësi & të mësosh të pranosh rreziqet
Fatkeqësisht, jo të gjitha përpjekjet tona janë kurorëzuar me sukses të ngjashëm. EUPOL AFGHANISTAN u vendos në vitin 2007 për të mbështetur krijimin e një force policore efektive afgane.
Pavarësisht disa sukseseve fillestare, misioni përfundimisht u desh të ndërpritej. Dhe fatkeqësisht jo pa humbjen tragjike të disa prej stafit tonë në shërbim, sakrificën sublime të të cilëve sapo e nderuam këtë pasdite.
Ambiciet tona për një forcë policore afgane gjithëpërfshirëse me një rol të barabartë për gratë mbeten të parealizuara. Dhe ngjarjet e fundit në Afganistan e bëjnë këtë qëllim edhe më të largët.
Mësimi këtu është se ne mund të kemi sukses vetëm nëse kemi investimin e nevojshëm edhe nga partnerët tanë nga shteti nikoqir. Asnjë masë e ndihmës së jashtme nuk mund të zëvendësojë zgjidhjet politike legjitime, të dakorduara nga forcat e vendit.
Prandaj, a ishim gabim që u përpoqëm të ndihmonim afganët për krijimin e një force policore moderne? Apo të pranojmë se, në një botë komplekse, ndonjëherë misionet tona mund të mos jenë në gjendje të japin rezultatet e dëshiruara?
Sigurisht veprimi i PPSM-së ndërthurë në vete edhe rreziqe. Jo vetëm rreziqe fizike për stafin tonë, por edhe rreziqe politike për mandat të papërmbushur. Ne gjithmonë përpiqemi të zbusim rreziqet, përmes planifikimeve të kujdesshme. Por rreziku zero nuk ekziston dhe ne duhet të jemi mjaft të pjekur dhe ta pranojmë ekzistimin e tij. Dhe shpesh, rreziku i mosveprimit është më i madh në terma afatgjatë.
EUMM Gjeorgji: vullneti politik për të vepruar
Kompasi Strategjik ka vendosur një objektiv që PPSM civile të jetë në gjendje të zbarkojë një mision me 200 pjesëtarë të stafit brenda 30 ditëve, në një mjedis kompleks. Ky është një urdhër i vështirë, por ne tashmë e kemi vërtetuar se çfarë mund të bëjmë me misionin tonë monitorues në Gjeorgji, nëse ka vullnet politik të mjaftueshëm.
Misioni në Gjeorgji u vendos dhe operoi brenda 6 javësh nga vendimi për themelimin e tij: nga hartat në mur deri te çizmet në tokë në më pak se dy muaj. EUMM Gjeorgjia lejoi që ndërprerja e përkohshme dhe e brishtë e armiqësive midis Gjeorgjisë dhe Rusisë të kalojë në një situatë ku rreziqet e konfliktit të hapur janë zbutur fuqishëm.
Deri më sot, EUMM Gjeorgji kryen patrullime ditore përgjatë vijës kufitare administrative, duke ulur tensionin dhe duke ulur incidentet. Prania e tij ndihmon në ndërtimin e besimit midis palëve dhe vepron si një faktor ndërkombëtar stabiliteti në këtë mjedis potencialisht shumë jostabil.
EULEX Kosova: një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sigurisë
EULEX Kosova është misioni ynë civil më i madh dhe më ambicioz deri më sot. Ai shënoi një ndryshim hapi për PPSM civile. Më parë, misionet civile kishin një fokus të ngushtë dhe të vetëm. EULEX Kosova e ndryshoi ato në tërësi.
Në disa aspekte, ai ofroi një plan për angazhimin e partnerëve tanë në të gjithë spektrin e sundimit të ligjit.
EULEX Kosova fillimisht ishte vendosur me rreth 3000 pjesëtarë të stafit, për të ofruar ndihmë gjithëpërfshirëse të sigurisë për autoritetet e Kosovës dhe për t'i ndihmuar ato të vendosin dhe të forcojnë sundimin e ligjit.
Kjo ishte një ndërmarrje masive, që kërkonte mobilizim të paprecedentë, si në selinë qendrore ashtu edhe nga shtetet tona anëtare. Shifrat e papërpunuara janë mbresëlënëse. Në kulmin e tij në vitin 2011, EULEX-i vendosi 1000 zyrtarë policorë, 200 zyrtarë doganorë dhe të imigracionit, 120 gjyqtarë, prokurorë dhe këshilltarë për reformën ligjore dhe 60 ekspertë të burgjeve.
Dhjetë vite më vonë, misioni ka përmbushur në masë të madhe mandatin e tij dhe si rezultat Kosova është në gjendje të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt integrimit të mëtejshëm evropian.
EUAM Ukrainë: misione fleksibile dhe të përshtatshme
Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës tregon se sa i cenueshëm është bërë rajoni ynë. Pas fillimit të luftës, misioni ynë për sundimin e ligjit EUAM Ukraine u detyrua të evakuonte stafin e tij ndërkombëtar nga shtabi i tij në Kiev dhe zyrat rajonale në Kharkiv dhe Mariupol.
Pasi njerëzit arritën në vend të sigurt, ata u kthyen menjëherë në punë dhe përshtatën aktivitetet për të përmbushur nevojat aktuale: duke ndihmuar Ukrainën për të menaxhuar flukset e paprecedentë të migrimit jashtë vendit dhe për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e luftës.
Jam i lumtur që javën e kaluar misioni u kthye në Kiev. Ne duhet të shohim se si misioni mund të ndihmojë më së miri partnerët tanë ukrainas në të ardhmen. Me operacionet ushtarake mënjanë, Ukraina ka shumë prioritete dhe nevoja të sigurisë - dhe ne duhet të përshtatim ofertën tonë për të përmbushur këto pritshmëri.
Kjo më sjellë në pikën time të fundit: misionet tona duhet të jenë në gjendje të përshtaten me mjediset operative që ndryshojnë me shpejtësi. Fleksibiliteti dhe përshtatshmëria duhet të nguliten në kulturën tonë PPSM dhe në planifikimin tonë. Bota rreth nesh po rrotullohet gjithnjë e më shpejt dhe ne duhet të mbajmë ritmin.
Pra, ku na sjellë kjo? Kompasi Strategjik bën thirrje për një PPSM më efektive, fleksibile dhe reaguese. Ka shumë ide për zhvillimin dhe përmirësimin e PPSM civile që i diskutuat sot dhe që ne mund t'i përfshijmë në kompaktin civil të ardhshëm.
Këtu dua të ngris një pikë specifike dhe ajo është rëndësia e të siguruarit që ambiciet tona në PPSM civile të jenë të pajisura me burimet e duhura. Kjo nënkupton që duhet të ketë numër të duhur të stafit të deleguar që posedojnë aftësitë e kërkuara.
Kështu që porosia ime për shtetet anëtare është se ne do të kemi nevojë për më shumë kontribute me personel në të ardhmen, me aftësi dhe përvoja të duhura, për të siguruar që PPSM civile mund të përmbushë premtimin e saj. Faktori njeri është ai që përfundimisht bën dallimin në PPSM civile.
Më lejoni të përfundoj duke falënderuar të gjithë stafin e KPVC që punon në terren dhe në seli. Ajo që ju e bëni për sigurinë e Evropës dhe sigurinë e partnerëve tanë vlerësohet vërtetë. Dhe kjo sjell ndryshim të vërtetë në pozicionin tonë në botë.
Faleminderit.
Vegëza e videos: https://multimedia.europarl.europa.eu/en/webstreaming/high-level-conference-KPVC-hlc-shaping-civilian-csps-for-future_20220524-1600-COMMITTEE-SEDE