Lajme

EULEX-i i jep një donacion Institutit të Mjekësisë Ligjore

08 gusht 2022

Më 8 gusht, Zëvendës Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Cezary Luba, i dorëzoi zëvendësueses së Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Flutra Goga-Bajrami, dy serverë për t'i ruajtur të dhënat e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Rasteve (SMRF – Sistemi për Menaxhimin e Rasteve Forenzike). Kjo do të mundësojë dixhitalizimin e proceseve të punës në IML dhe do ta rrisë efikasitetin e shërbimeve të këtij Instituti.

Me rastin e dorëzimit të pajisjeve të TI-së, Luba theksoi: “IML-ja është një nga partnerët më të afërt të EULEX-it, pasi stafi ynë ka qenë i përfshirë në Institut që nga koha kur është krijuar ky Mision”. Luba e konfirmoi angazhimin e Misionit në ofrimin e ekspertizës për ta përcaktuar fatin e personave të zhdukur.

Duke e falënderuar Misionin për këtë donacion, Goga-Bajrami tha: “Jemi shumë mirënjohës për mbështetjen që i keni dhënë Institutit të Mjekësisë Ligjore që nga fillimi i punës së tij. Ky donacion do të na ndihmojë në veçanti për ta dixhitalizuar punën e IML-së”.

Goga-Bajrami gjithashtu theksoi se ndihma e ekspertëve të EULEX-it për çështjen e personave të pagjetur është shumë e nevojshme dhe kujtoi mbështetjen e ngushtë që EULEX-i i ka dhënë IML-së.

“Ne jemi duke punuar së bashku me ekspertët tuaj çdo ditë, jo si partnerë por si ekip”, theksoi Goga-Bajrami.

Për rëndësinë e këtij donacioni, Zyrtari i TI-së i IML-së, Ismail Mehmetaj, tha: “Serverët e dhuruar nga EULEX-i janë shumë të domosdoshëm sa i përket zhvillimit të një platforme digjitale për sistemin e menaxhimit të rasteve dhe dëshmive. Ky sistem do të instalohet në një server, ndërsa tjetri do të përdoret si server rezervë. Sistemi i mbështet procedurat në mënyrën se si funksionon, bashkëpunon, raporton dhe shkëmben informacionet Instituti si brenda tij ashtu edhe me institucionet tjera, siç janë Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prokuroria, Gjyqësori, Agjencia e Mjekësisë Ligjore e Kosovës dhe Policia e Kosovës. Ky donacion është gjithashtu shumë i rëndësishëm për dixhitalizimin e dokumentacionit dhe arkivave të IML-së”.

Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë së bashku me kolegët tanë vendas në IML duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve të mundshme klandestine dhe zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave nga konflikti në Kosovë.

Nga fillimi i mandatit të EULEX-it e deri më sot, EULEX-i i ka kryer 700 operacione në terren për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 188 zhvarrime. Mbetjet mortore të 480 individëve janë identifikuar, duke përfshirë këtu 332 persona të zhdukur.