Lajme

Zëdhënësja e EULEX-it dha intervistë për ABC News Albania lidhur me angazhimin e këtij Misioni në veri të Kosovës

24 tetor 2022

Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, e dha një intervistë për ABC News Albania, e cila u transmetua më 21 tetor.

Gjatë kësaj interviste, Lachana foli për angazhimin e EULEX-it në veri të Kosovës si dhe për gatishmërinë e Misionit për të bërë atë që nevojitet për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës së saj.

Këtu mund ta gjeni deklaratën e plotë:

“EULEX-i vazhdon të jetë vigjilent ndërsa ne jemi duke i monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjithë njerëzve në Kosovë. Aktualisht, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë, por e tensionuar. Njësia jonë Policore e Specializuar, e cila përbëhet nga 105 policë, kryen patrullime të përditshme vëzhgimi në veri të Kosovës që ta kemi një pasqyrë të qartë të situatës. Si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, ne gjithashtu kemi koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë. Nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, ne jemi të gatshëm të veprojmë si reagues i dytë i sigurisë për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdo kërcënim – pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë. Forca jonë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe ka një kohë reagimi prej 15 minutash. Nëse është e nevojshme, Misioni mund të zbarkojë gjithashtu një njësi policore të specializuar rezervë për t’i shtuar forcat e saj në terren dhe kapacitetin e saj operacional. Për ta testuar gatishmërinë operacionale dhe për ta siguruar koordinimin e të gjithë reaguesve të sigurisë, EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës gjithashtu kryejnë stërvitje të rregullta të përbashkëta. Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj.”

Shikoni intervistën: https://www.youtube.com/watch?v=r-Gd-9dKwew&t=375s