20 janar 2023
Më 19 dhe 20 janar, 19 femra oficere të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) morën pjesë në një kurs trajnimi të organizuar dhe mbajtur nga Shoqata e Grave në Shërbimin Korrektues të Kosovës me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Trajnimi dyditor kishte për qëllim ngritjen e kapaciteteve të stafit të SHKK-së në fushën e komunikimit, punës ekipore, perceptimit të konflikteve, mirëkuptimit dhe zgjidhjes.
Në veçanti, përmes ushtrimeve interaktive dhe punës në grup pjesëmarrësit mësuan se si të krijojnë më mirë marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme të punës, t’i menaxhojnë dhe zgjidhin konfliktet, ta kultivojnë kohezionin e ekipit, ta rrisin efikasitetin e punës dhe ta zvogëlojnë stresin që lidhet me punën.
Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Vahakoski, tha: “Të punosh në institucionet korrektuese është një punë shumë e vështirë që kërkon shumë durim dhe vendosmëri. Prandaj, ky trajnim është shumë i rëndësishëm për t’i forcuar aftësitë e komunikimit të stafit korrektues, duke u fokusuar në situata të ndryshme që mund të kërkojnë zgjidhje të shpejta në rrethana të vështira”. Vahakoski shtoi se forcimi i këtyre aftësive mund të krijojë një mjedis më të sigurt dhe ta mbështesë procesin e rehabilitimit të burgosurve.
Flaka Imeri, praktikante dhe zyrtare sociale për të mitur në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, e komentoi pozitivisht këtë mundësi mësimi duke thënë: “Trajnimi për komunikimin është i nevojshëm për ne për shkak të natyrës së punës sonë ku duhet të menaxhojmë situata të ndryshme me të burgosurit. Ky lloj trajnimi duhet të organizohet edhe me grupe të tjera të oficerëve korrektues, në mënyrë që ata të marrin njohuri të reja se si të komunikojnë me të burgosurit në qendrat e tjera korrektuese”.
EULEX-i do të vazhdojë të mbështesë aktivitete të ngjashme të organizuara nga Shoqata e Grave në SHKK, në përputhje me përkushtimin e Njësisë Korrektuese të Misionit për ta avancuar pozitën e grave brenda SHKK-së, si dhe për t’i ndihmuar punonjëset femra që ta zhvillojnë karrierën e tyre dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë.