Lajme

EULEX-i, Agjencia Kosovare për Informim dhe Privatësi dhe Akademia e Drejtësisë e organizuan një punëtori për institucionet e sundimit të ligjit lidhur me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave

21 shkurt 2023

Më 21 shkurt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e mbështeti organizimin e një punëtorie për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave për 57 gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të sundimit të ligjit.

Punëtoria “Drejtësia kundrejt mbrojtjes së të dhënave personale”, e cila u organizua së bashku me Agjencinë Kosovare për Informim dhe Privatësisë (AIP) dhe Akademinë e Drejtësisë, u fokusua në obligimet që dalin nga zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si dhe mbi sfidat me të cilat përballen institucionet e sundimit të ligjit në zbatimin e këtij ligji.

Duke e hapur punëtorinë, Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, e rikujtoi përgjegjësinë të cilën e bartin këta përfaqësues të institucioneve gjatë kryerjes së punës së tyre: “Si gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të policisë, ju të gjithë e bartni një rol kritik në respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Këtu përfshihen të drejtat për privatësi dhe mbrojtja e të dhënave personale si e drejtë e privatësisë. Ju që punoni në sistemin e drejtësisë është thelbësore të jeni të vetëdijshëm që këto parime duhet të zbatohen në çdo kohë”, the Sogojeva-Dërmaku, duke shtuar se: “Të gjitha institucionet të cilat grumbullojnë apo kontrollojnë të dhëna personale duhet t’i vendosin masat e sigurisë të duhura për mbrojtjen e këtyre të dhënave. Kjo punëtori ka për qëllim bashkëbisedimin mes jush që të i shqyrtoni rastet konkrete me praktikat më të mira”.

Gjatë fjalës hyrëse të tij, Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, e theksoi rëndësinë e konceptit të mbrojtjes së të dhënave personale për funksionimin e duhur të sistemit të sundimit të ligjit dhe bëri të ditur se Kosova mund të llogarisë në një kornizë solide ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale, pra në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili është gjerësisht në përputhje me Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve, Wigemark tha: “Bazuar në ligjin e Kosovës, të gjithë ju, si përfaqësues të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë, keni një përgjegjësi të qartë për të siguruar që të dhënat personale të mblidhen dhe përpunohen në mënyrë të drejtë, transparente dhe të përgjegjshme gjatë ndarjes së drejtësisë”. Po ashtu, Shefi i EULEX-it e vlerësoi rolin e AIP-së për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit.

Zyrtarja e Lartë për Trajnime e Programit për Trajnim të Vazhdueshëm të Akademisë së Drejtësisë, Kadrije Bicaj, i përshëndeti pjesëmarrësit duke i inkurajuar ata që të diskutojnë hapur për sfidat me të cilat mund të ballafaqohen.

Gzim Shala, Menaxher i Programeve dhe Hulumtues i Lartë Ligjor në Institutin Kosovar të Drejtësisë, ligjëroi mbi standardet kushtetuese dhe ligjore lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, duke e sqaruar në hollësi jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në këtë fushë. Shala gjithashtu u fokusua në nevojën për balancimin e të drejtës për mbrojtjen e të dhënave me të drejtat tjera, si e drejta për qasje në dokumentet publike.

“Përkundër rëndësisë për mbrojtjen e të dhënave personale, duhet pasur parasysh se kjo mbrojtje nuk është e pakufizuar por se duhet balancuar me të drejta të tjera. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut tanimë ka ndërtuar rregulla të qarta për mbrojtjen e të dhënave personale dhe balancimit të kësaj mbrojtje me të drejta të tjera” ka thënë Shala.

Blerta Ibërdemaj, Zyrtare Ligjore dhe Monitoruese në BIRN, foli për çështjen e mbrojtjes së të dhënave dhe respektimit të privatësisë nga këndvështrimi i informacionit publik, duke e nënvizuar përgjegjësinë e medias në ndjekjen e lirisë së shprehjes, duke i respektuar në të njëjtën kohë të drejtat e tjera të qytetarëve.

Ibërdemaj paraqiti raste shumë konkrete që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë dhe që tregojnë qartë dështimin për ta mbrojtur të drejtën në mbrojtje të dhënave nga institucionet e Kosovës, apo shkeljet evidente të privatësisë së qytetarëve nga mediat, kur p.sh. publikohet identiteti i të dyshuarve në kundërshtim me ligjin.

“Mos respektimi i të drejtës për mbrojtjen e të dhënave apo të drejtës për privatësi mund të shkaktojë dëm të madh për qytetarët e prekur”, tha Ibërdemaj, duke u bërë thirrje të gjithëve që të kenë një ndjenjë më të fortë përgjegjësie dhe ndërgjegjësimi në këtë fushë kaq të ndjeshme.
 
Pjesa e fundit e punëtorisë iu kushtua punës interaktive në grupe, ku Drejtoresha Ekzekutive e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli, ndau me pjesëmarrësit skenarë hipotetikë që paraqesin rastet të cilat eventualisht mund të përfundojnë në gjykata dhe duke i inkurajuar pjesëmarrësit për një diskutim interaktiv dhe të gjallë.

Meqenëse çështja e mbrojtjes së të dhënave është e ndërlidhur ngushtë me të drejtën për qasje në dokumente publike, një çështje tjetër me rëndësi thelbësore për një shoqëri demokratike, EULEX-i është duke planifikuar që ta organizojë një punëtori të veçantë për Ligjin për Qasje në Dokumente Publike më 15 mars, duke u mundësuar kështu pjesëmarrësve që të njihen me këto dy ligje.