Lajme

EULEX-i mbështetë Shërbimin Korrektues të Kosovës për këshillimin e mbështetjes së kolegëve dhe rishikimin e strategjisë së tij

04 maj 2023

Më 4 maj, ekipi i ekspertëve nga Njësia Korrektuese e EULEX-it përmbyllën një punëtori treditore për 25 drejtorë të shërbimit korrektues dhe këshilltarë për mbështetje të kolegëve brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).

Dy ditët e para të punëtorisë ishin të caktuara për hartimin e procedurës standarde të punës për mbështetjen e kolegëve brenda SHKK-së, ndërsa dita e fundit ishte caktuar vetëm për rishikimin e strategjisë pesëvjeçare të SHKK-së, e cila do t’i ndihmojë këtij institucioni për përmbushjen e objektivave dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për të burgosurit ku qëllimi përfundimtar është asistimi për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.

Kjo është parë si zhvillim i madh nga ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të SHKK-së, Ismail Dibrani: “Ky plan strategjik që është hartuar për institucionin tonë është një prej dokumenteve më të rëndësishme që do të na shpije në drejtimin e duhur në të ardhmen. Ne e falënderojmë EULEX-in për përkushtimin e tyre në këtë punë të rëndësishme.”

Gjatë punëtorisë për mbështetjen e kolegëve, pjesëmarrësit po ashtu patën rastin që të praktikojnë intervista motivuese dhe skenarë me role. Zyrafete Imeraj, zëvendësuese e Drejtorit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, e konsideroi punëtorinë si shumë të dobishme dhe të rëndësishme për punën e saj: “Ne shpesh hasim në lloje të ndryshme të incidenteve gjatë punës sonë të përditshme dhe stafi ynë nganjëherë i ekspozohet ngjarjeve traumatike. Andaj, ky lloj i trajnimit është shumë i dobishëm në mënyrë që ne të mësojmë se si t’i menaxhojmë situatat e ndjeshme.”

Vënia e njohurive në praktikë si këshilltarë për mbështetjen e kolegëve po ashtu ishte e mirëpritur nga pjesëmarrësit. Naime Redenica-Bellaqa, punëtore sociale në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, e konfirmoi këtë: “Kjo është hera e parë që një trajnim i këtij lloji organizohet. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi mundësinë e dhënies së mbështetjes për kolegët tanë nga qendrat korrektuese dhe të paraburgimit të cilët merren me incidente të ndjeshme.”