19 maj 2023
Më 19 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe partneri i tij, OJQ-ja Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut – Kosovë, e organizuan një vizitë studimore në Gjykatën Themelore të Prishtinës për mbi 40 nxënës të shkollës fillore “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe.
Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të mësojnë më shumë për funksionimin e gjykatës dhe parimet themelore të drejtësisë penale në Kosovë nga Nënkryetari i Gjykatës Themelore, Mentor Bajraktari dhe Administratori i Gjykatës, Shaban Gërxhaliu.
Në veçanti, Bajraktari iu përgjigj shumë pyetjeve interesante duke shpjeguar të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve përballë ligjit, rolin dhe përgjegjësinë e gjykatës, si dhe strukturën e seancave gjyqësore.
Kjo vizitë u organizua në kuadër të projektit të mbështetur nga EULEX-i “Fuqizimi i të rinjve – Përmirësimi i të drejtave të njeriut dhe edukimi për sundimin e ligjit në shkolla”, që synon avancimin e të drejtave të njeriut dhe edukimin për sundimin e ligjit nëpër shkolla.
Projekti ka filluar më 13 janar me një trajnim tre-ditor për dhjetë studentë të drejtësisë, që pritet të mbajnë ligjërata mbi drejtësinë për nxënësit e shkollave fillore. Aty përfshihet një trajnim për 15 mësimdhënës të edukatës qytetare dhe i parasheh mbi 15 ligjërata nëpër shkolla të ndryshme fillore në mbarë Kosovën, si dhe vizita nëpër gjykata.