Lajme

EULEX-i e Mbështet Transparencën Gjyqësore: Diskutimi në Panel për Përmirësimin e Komunikimit të Gjykatave me Publikun dhe Mediat

05 qershor 2023

Më 5 qershor, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me OJQ-në Qendra për Inovacion dhe Zhvillim e organizoi një diskutim në panel për temën “Përmirësimi i komunikimit të gjykatave me publikun dhe mediat”.

Në këtë diskutim në panel morën pjesë Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Antigona Uka-Lutfiu, Zëdhënëse e Gjykatës Supreme, Naile Dema Selmani, Anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kreshnik Gashi, Redaktor/Autor i emisionit “Drejtësia në Kosovë” – Internews Kosova, dhe Andrej Bozhinovski, Asistent i Doktoraturës në Fakultetin Juridik në Zagreb.

Shefja e Zyrës për Shtyp dhe Informim Publik dhe Zëdhënësja e EULEX-it, Ioanna Lachana, e hapi këtë aktivitet duke i dhënë përgjigje një pyetjeje vendimtare: “Pse është i rëndësishëm vetëdijesimi për punën e gjykatave?”.

“Është i rëndësishëm sepse pa vetëdijesim nuk mund të ketë besim. E thënë thjeshtë: Njerëzit nuk mund t'i besojnë asaj që nuk mund ta kuptojnë. Kështu është edhe me gjyqësorin”, tha Lachana, duke e shpjeguar rëndësinë e rolit të zyrtarëve për komunikim të gjykatave për t’u ndihmuar qytetarëve që ta kuptojnë punën e gjykatave në mënyrë aktive dhe proaktive.

Zëdhënësja e EULEX-it i prezantoi gjithashtu disa nga iniciativat që i ka ndërmarrë ky Mision për t'i sjellë qytetarët e Kosovës më afër sundimit të ligjit, duke i përfshirë fushatat e vetëdijesimit, gjykimet e simuluara dhe vizitat studimore.

Diskutimi u nxit nga prezantimi për Këshillin Gjyqësor-Medial të Maqedonisë së Veriut, një platformë joformale për dialog ndërmjet gjyqtarëve dhe gazetarëve, të cilin e bëri Andrej Bozhinovski, ish-Koordinator i Projektit të Këshillit.

Duke e prezantuar këtë Këshill, Bozhinovski shpjegoi se: “Objektivi i Këshillit është që të ndërtojë marrëdhënie ndërmjet gjyqtarëve dhe gazetarëve që do ta balancojë qasjen në informacion me mbrojtjen e prezumimit të pafajësisë së të pandehurve, parandalimin e sensacionalizmit në raportimin mediatik për rastet gjyqësore dhe mbrojtjen si dhe promovimin e interesave të drejtësisë”. Ai e theksoi mënyrën se si ky Këshill arriti sukses në ndryshimin e mendësisë, përmirësimin e transparencës dhe dialogut, dhe përfundimisht, në dhënien zë gjykatave.

Gjatë pjesës së parë të diskutimit në panel, përfaqësuesit e mediave shkëmbyen mendime mbi statusin e transparencës gjyqësore në Kosovë nga perspektiva e informimit publik.

Naile Dema Selmani, Anëtare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, theksoi se një nga sfidat me të cilat ballafaqohen gazetarët është numri i kufizuar i zëdhënësve apo personelit për komunikim në kuadër të gjykatave, gjë që sjell vonesa në përgjigje. Ajo e theksoi nevojën e forcimit të mëtejshëm të komunikimit me gjykatat: “Për të përmirësuar komunikimin me gjykatat, vitin e kaluar AGK-ja ka zhvilluar takim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe në diskutim e sipër është marrë një dakordancë mes grupeve që të ketë prioritet për gazetarët në rastet kur ata për shembull janë të sulmuar,” tha Dema Selmani duke shtuar: “Besoj se është koha që të krijohet një platformë dialogu për të avancuar komunikimin mes gazetarëve dhe institucioneve të drejtësisë”.

Duke e komentuar pozitivisht nivelin e transparencës në sistemin gjyqësor të Kosovës, gazetari Kreshnik Gashi tha: “Mund të them që kemi pasë qasje shumë pozitive për aksesin i cili iu ka leju gazetarëve. Ky sistem ka mundësu që gazetarët me u futë me kamera në salla të gjykimit, me xhiru çdo gjë në proces dhe me vazhdu me pasë transparencën e plotë për atë çka ndodhë mrenda sallave të gjykimit”.

Duke u ndalur në sfidat aktuale, Gashi vuri në dukje nevojën për ta trajtuar çështjen sistematike të dezinformimit: “Mirëpo, problemin kryesor e kemi te elementi i parë që është qasja strategjike e sistemit. Sot, sistemi nuk e ka një përgjigje me na tregu se kush është problemi kryesor në komunikimin me gazetarët. Në fakt, kemi realizuar një hulumtim rreth problemeve të cilat na vijnë përshkak të deziniformimit, dhe sistemi ende nuk e ka një analizë se kush po synon me bë dezinformimin rreth sistemit të drejtësisë”, tha ai.

Disa nga këto sfida u theksuan edhe gjatë pjesës së dytë të diskutimit në panel nga Albert Zogaj, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nga Antigona Uka-Lutfiu, Zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Duke e pranuar rëndësinë e sigurimit të një qasjeje proaktive dhe transparente të komunikimit për t’i informuar më mirë qytetarët, Zogaj tha: “Do të ishte mirë që në programin fillestar të gjyqtarëve por edhe në atë të vazhdueshëm, të kemi si zhvillim të shkathtësive të komunikimit sepse kjo do të ndihmonte në prezantimin e punës së gjykatave në publik, por edhe të informimit më të drejtë dhe më të saktë të publikut. Ne si Këshill Gjyqësor, patjetër që kemi zgjedhë të jemi transparent në krejt format e mundshme”.

Zogaj theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për ta gjetur një ekuilibër mes transparencës dhe respektimit të konfidencialitetit: “Por, poashtu duhet me e theksu se puna e gjyqësorit është pak më diskrete, më e mbyllur, më jo avangarde në kuptimin e prezentimit dhe ne do të duheshim të kemi krahasim me sistemet tjera se cili është parametri real, pra si duhet me e prezentu punën e gjyqësorit. Dhe për këtë e mirëpres komunikimin me gazetarët dhe me krejt organizatat”.

Antigona Uka-Lutfiu, Zëdhënëse e Gjykatës Supreme e rikujtoi nevojën për t’i forcuar kapacitetet për informim publik brenda gjykatave për ta ofruar nivelin e duhur të proaktivitetit dhe transparencës: “Në të gjitha gjykatat është vetëm nga një zëdhënës që i mbulon të gjitha punët e fushës së komunikimit. Ka qenë shumë sfiduese sepse përveç që jemi përgjegjës për komunikim, ne poashtu i mirëmbajmë edhe webfaqet, publikojme aktvendimet, bëjmë përpilimin e komunikatave, komunikojme me mediat, me publikun si dhe mirëmbajmë kanalet e mediave sociale. Përshkak të volumit të madh të përgjegjësive ndoshta nuk mund të jemi aq proaktiv sa do të kishim dëshirë”.

Uka-Lutfiu gjithashtu theksoi se është thelbësore që komunikuesit e gjykatës të trajnohen siç duhet për marrëdhënie me mediat dhe në gazetari: “Në anën tjetër, besoj se përvoja e gazetarisë na ka mësuar që komunikatat t’i bëjmë sa më të kuptueshme në aspektin gjuhësor, poashtu na ka bërë të vetëdijshëm edhe për aspektin kohor pra, që të përgjigjemi brenda një afati kohor sa më të shpejtë”, tha ajo, duke e ndarë përvojën personale e profesionale të saj.

Ky diskutim në panel është pjesë e projektit në shkallë të vogël të EULEX-it të titulluar “Përmirësimi i Transparencës në Raportimin Gjyqësor”, i cili përfshin gjithashtu prodhimin e një serie prej gjashtë videove mbi tema të zgjedhura të sundimit të ligjit që synojnë të rrisin vetëdijesimin e publikut për punën e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Shikoni diskutimin e plotë në: https://www.facebook.com/watch/live/?extid=CL-UNK-UNK-UNK-IOS_GK0T-GK1C&mibextid=2Rb1fB&ref=watch_permalink&v=917564582661673