Lajme

Shefi i EULEX-it merr pjesë në Forumin e organizuar nga KFOR-i me temë dhunën në familje

14 qershor 2023

Më 14 qershor, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, mori pjesë në Forumin për dhunën gjinore i organizuar nga KFOR-i me pjesëmarrjen e EULEX-it dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë. Forumi i dha mundësi përfaqësuesve të institucioneve kosovare të sundimit të ligjit, organizatave ndërkombëtare, OJQ-ve, dhe shoqërisë civile të diskutojnë hapur për mirëqenien, sigurinë, parrezikshmërinë dhe riintegrimin e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore, me fokus të veçantë mbi funksionimin aktual të mekanizmit të reagimit të përbërë prej disa palëve të interesit.

Ky organizim ishte kulmi i një serie prej shtatë seancave informuese të organizuara përgjatë periudhës prill-maj për rreth 100 zyrtarë policorë nga shtatë stacione policore nga vende të ndryshme të Kosovës në lidhje me shfrytëzimin më të mirë të zyrave të intervistimeve ku fokusi është mbi viktimën. Viktimat e dhunës në baza gjinore dhe të dhunës në familje e kanë të drejtën të intervistohen mënyrën që e parandalon çdo lloj ritraumatizimi, dhe zyrat e intervistave ku viktima është në qendër – kur ato të shfrytëzohen në mënyrën e duhur – mund të ndihmojnë shumë për ofrimin e mjedisit të sigurt dhe të përshtatshëm për këtë qëllim.

Përgjatë viteve, EULEX-i, në partneritet me KFOR-in dhe Misionin e OSBE-së në Kosovë, ka mbështetur hapjen e shtatë zyrave të intervistimit në të cilat fokusi bie i tëri mbi viktimën nëpër stacionet policore të Lipjanit, Prishtinës, Prizrenit, Suharekës, Mitrovicës veri, Skenderajt, dhe Pejës, dhe ka fasilituar këto sesione informative për të siguruar që potenciali i zyrave të themeluara të shfrytëzohet në plotësi.

Në fjalën e tij në hapje, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, theksoi se EULEX-i është partner i përkushtuar për sundimin e ligjit dhe institucionet e drejtësisë për adresimin e kësaj çështjeje, nga avokimi dhe sensibilizimi kundër çdo forme të dhunës në baza gjinore deri te monitorimi i tërë zinxhirit të drejtësisë penale për mënyrën e trajtimit të këtyre rasteve.

“Çrrënjosja e plotë e dhunës në familje është shumë e vështirë të arrihet. Ne pamë se gjatë pandemisë pati një pandemi paralele sa i përket shtimit të dhunës në familje,” theksoi Wigemark, dhe shtoi: “kjo është arsyeja përse këto zyra të intervistimeve janë kaq të rëndësishme: në mënyrë që viktimat të ndihet të sigurta dhe të ndjehen komod.”

Shefi i Stafit të KFOR-it, Gjeneral Brigade John Bozicevic, ritheksoi përkushtimin e KFOR-it për të ndihmuar në luftimin e këtij fenomeni dhe shpjegoi se qëllimi i forumit është fuqizimi i sensibilizimit dhe dialogut.

“Vuajtjet e shumë grave dhe vajzave na shtyjnë të punojmë për t’i dhënë fund këtyre vuajtjeve. Dhuna në familje është krim që duhet të adresohet në bashkëpunim të ngushtë mes organizatave të ndryshme që gjenden këtu, punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe social, përfaqësuesve fetarë, Policisë së Kosovës, prokurorëve, gjyqtarëve, OJQ-ve, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.”

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative të trajnimeve për përmirësimin e shërbimeve hetimore të zbatimit të ligjit në trajtimin e rasteve që përfshijnë persona që kanë përjetuar dhunë në familje. “Viktimat duhet të kenë qasje në mbështetje të përshtatur siç janë shërbimet policore që e vënë viktimën e fokus. Ne duhet të jemi zëri i atyre zëri i të cilëve shpesh nuk mund të dëgjohet,” tha Davenport, duke shtuar: “Dhuna në familje lë pasoja të mëdha tek anëtarët e familjes, miqtë, dhe shoqëria e gjerë. Dhuna në familje, siç e dimë, ka edhe potencialin e krijimit të viktimave të tjera anësore dhe të prodhimit të shkelësve të tjerë. Natyrisht, këto krime nuk mund të tolerohen. Viktimat duhet të marrin mbrojtjen që u nevojitet dhe kryerësit e dhunës në familje duhet të përballen me drejtësinë.”

Forumi vazhdoi me dy diskutime në panel në lidhje me dhunën në familje në Kosovë dhe shërbimet policore me ndjeshmëri për çështjen gjinore.

Duke komentuar për rëndësinë e pranisë së shërbimeve që e vendosin viktimën në qendër siç janë zyrat e intervistimeve, Këshilltarja e EULEX-ut për çështje gjinore, Chiara Tagliani theksoi: "Themelimi i raportit të besimit te viktimat e dhunës në baza gjinore është thelbësore për mbrojtjen e tyre dhe për të siguruar mundësinë e tyre për dëshmuar, duke e shmangur ritraumatizimin. Përdorimi efektiv i zyrave të intervistimeve në të cilat fokusi bie mbi viktimën lejon krijimin e një mjedisi të sigurt dhe është po ashtu mjet për Policinë e Kosovës për aplikimin e qasjes ku i tërë fokusi bie mbi viktimën."

Diskutimi vazhdoi me fokus mbi faktin se mbrojtja efektive e grave dhe vajzave duhet të trajtohet me urgjencë. Shfrytëzimi i këtyre zyrave të intervistimeve me fokus mbi viktimën sigurisht se është mënyrë pozitive për të siguruar që viktimat të mos ngurrojnë të raportojnë rastet dhe që ato të marrin mbështetjen dhe mbrojtjen e duhur.