Lajme

EULEX-i dhe IML trajnuan policët e Kosovës dhe stafin e IML-së e si ta mbrojnë veten dhe si t’i mbrojnë provat mjeko-ligjore

26 maj 2023

Nga data 24 prill deri më 26 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) kanë organizuar një seri prej 11 punëtorish në vendin e tyre të punës për parandalimin e kontaminimit dhe kontaminimit të kryqëzuar të mostrave biologjike për gati 180 policë nga Gjilani, Mitrovica, Prishtina, Peja dhe Prizreni, si dhe për pjesëtarët e IML-së.

Kontaminimi biologjik dhe kontaminimi i kryqëzuar mund të ndodhin në vendin e krimit, kur e trajtoni ndonjë viktimë, kur kryeni ndonjë zhvarrim ose punoni në sallën e autopsisë; këto lloje të kontaminimit mund të përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e atyre që punojnë në një vend krimi, si dhe e rrisin rrezikun e humbjes së integritetit të provave, duke e rrezikuar kështu procesin e hetimit penal.

Antropologia Ligjore e EULEX-it, Luísa Marinho, e cila është e vendosur në IML për ta përkrahur procesin e identifikimit të personave të zhdukur, e shpjegoi idenë që qëndron prapa këtij projekti: “Kur dikush punon në një kontekst të caktuar për një kohë, ndërgjegjësimi për rreziqet e përfshira priret të zvogëlohet me kalimin e kohës ndërsa rritet mundësia për t'u bërë më të prirur për t’i neglizhuar praktikat më të mira. Për këtë arsye, ne vlerësuam se ishte e rëndësishme ta rrisim ndërgjegjësimin për këtë çështje tek profesionistët që merren me çështjet mjeko-ligjore, pasi ata janë më të rrezikuar nga kontaminimi dhe pa dëshirë mund ta rrezikojnë integritetin e provave biologjike apo edhe t’i shkatërrojnë plotësisht ato për shkak të kontaminimit të kryqëzuar”.

Përmes një qasjeje teorike dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit diskutuan dhe mësuan se si ta mbrojnë veten dhe të tjerët nga rreziqet shëndetësore të kontaminimit biologjik; si ta parandalojnë rrezikun e humbjes së provave të shkaktuar nga kontaminimi i kryqëzuar; si dhe rëndësinë e bartjes dhe asgjësimit të duhur të pajisjeve mbrojtëse pas përdorimit të tyre.

Për të shpërndarë më tej informacione, rekomandime dhe udhëzime praktike të dobishme, EULEX-i, në bashkëpunim me IML-në, e ka përgatitur gjithashtu një fletëpalosje informative që do t'i shpërndahet stafit të IML-së dhe nëpër stacionet e Policisë së Kosovës, duke i synuar ata policë që mund të hasin ose të thirren në ndonjë vend krimi.

Duke theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti trajnues, një nga trajnerët dhe bashkë-projektuesit e seminarit, Patologia Forenzike e IML-së Bergita Curri, theksoi: “Ndotësit biologjikë janë një kërcënim i vazhdueshëm për stafin e IML-së dhe kolegët tanë nga Policia e Kosovës si reaguesit e parë në çdo vend krimi. Nëpërmjet këtyre trajnimeve ne kemi dashur t'u kujtojmë edhe një herë se sa e rëndësishme është mbrojtja e tyre dhe në të njëjtën kohë mbrojtja e provave”. Curri shtoi gjithashtu se: “Rreziku për t'u ekspozuar dhe infektuar është gjithmonë i pranishëm. Duhet të sillemi dhe të mendojmë sikur çdo vend-ngjarje është e kontaminuar. Nëse veprojmë me këtë mentalitet, është më e lehtë të mbrohemi”.

Gjatë këtyre javëve, sesionet e ndryshme të punëtorisë u mbajtën nga disa ekspertë të IML-së, përkatësisht Drejtori i Laboratorëve Forenzikë të IML-së, Agron Thaqi, Specialist i Mjekësisë Ligjore i IML-së, Naim Uka, Shefja e Laboratorit të Toksikologjisë të IML-së, Flutra Goga-Bajrami dhe Specialisti i Mjekësisë Ligjore i IML-së, Valon Hyseni.

Seria e punëtorive u zhvillua në kuadër të projektit në shkallë të vogël të mbështetur nga EULEX-i "Mbroni veten duke i mbrojtur provat: përmirësimi i procedurave të punës për ta parandaluar kontaminimin biologjik", me qëllim që të ndihmohen profesionistët që i nënshtrohen potencialit të kontaminimit biologjik që të jenë të vetëdijshëm, të trajnuar dhe të pajisur për t’i ndjekur praktikat më të mira dhe t'u përmbahen procedurave të rrepta për ta parandaluar kontaminimin e provave dhe kontaminimin nga provat biologjike.