Lajme

Fushata e 13-të e EULEX-it për dhurim të gjakut në mbështetje të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut

09 gusht 2023

Më 8 gusht, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) organizoi fushatën e 13-të të tij për dhurim të gjakut, ku 29 pjesëtarë të stafit të EULEX-it, duke përfshirë Shefin e Misionit, Giovanni Pietro Barbano, vullnetarisht dhuruan gjak në mbështetje të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, e cila aktualisht është duke u përballur me mungesë të furnizimit të gjakut.

Ky aktivitet është vazhdimësi e bashkëpunimit të gjatë mes Njësisë Mjekësore të EULEX-it dhe Bankës së Gjakut të Kosovës, dhe, siç shpjegon Udhëheqësja e Njësisë Mjekësore të EULEX-it, Dr. Cristina Anghelescu, këto fushata jo vetëm që po ndihmojnë për të kontribuar në furnizimin me gjak të spitaleve në Kosovë, por njëkohësisht po shërbejnë si sensibilizim për një gjest kaq të rëndësishëm që shpëton jetë: “Duke dhënë shembull të mirë, këto fushata mund të ndërtojnë kulturë të dhurimit vullnetar të gjakut,” tha ajo.

Duke e falënderuar Misionin për mbështetjen e tij, Specialisti për transfuzion të gjakut në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Dr. Jeton Zenuni, theksoi se dhurimi i gjakut bënë që tjetri të fitojë një shans të dytë për jetë: “Përmes dhurimit të gjakut, ju mund të shpëtoni një mik, familjar, dikë që e doni. Dhurimi i gjakut nuk kushton asgjë, por ai shpëton jetë,” potencoi ai.

Me rastin e dhurimit të gjakut, Shefi i EULEX-it po ashtu vizitoi objektin e Njësisë Mjekësore, ku pati mundësinë të shihte se si ekipi mjekësor i Misionit jep mbështetjen emergjente parësore dhe atë mjekësore për pjesëtarët e stafit të EULEX-it.