Lajme

EULEX-i organizon punëtorinë e dytë për zhvillim të karrierës në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës

24 nëntor 2023

Më 24 nëntor, 26 studentë nga Universiteti i Prishtinës, Kolegji AAB, RIT Kosova (AUK), dhe Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) përfunduan punëtorinë treditore për zhvillim të karrierës, e organizuar nga Divizioni i Burimeve Njerëzore i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) që si objektivë kishte që studentëve t'i ofronte shkathtësitë dhe njohuritë themelore e nevojshme për planifikimin e karrierës profesionale në organizata ndërkombëtare.

Kjo punëtori, e cila ishte edicion i dytë, është organizuar në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, në partneritet me GIZ në Kosovë, Misionin e OSBE-së në Kosovë, USAID në Kosovë dhe Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë.

Si pjesë e punëtorisë, studentët vizituan edhe Selinë e EULEX-it në Prishtinë ku u mirëpritën nga Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, i cili i inkurajoi ata që të ndjekin karrierë në organizata ndërkombëtare, duke ndarë me ta edhe përvojën personale të karrierës së tij.

Programi i punëtorisë ishte i fokusuar në dhënien e këshillave dhe njohurive praktike, si për vendet dhe mënyrën e kërkimit të vendeve të lira të punës, mënyrë e përgatitjes së letrave të motivimit dhe CV-ve, plotësimin e formularëve të aplikimit, si dhe përfshiu edhe një pjesë me simulime të intervistave.

Gjatë përvojës së mësimit intensiv treditor, studentët patën mundësinë të dëgjonin prej një sërë folësve mysafirë nga organizata partnere dhe të merrnin udhëzime për bërjen e zgjedhjeve të bazuara në informata për karrierë dhe për mënyrën e ndërlidhjes së drejtpërdrejt me përfaqësues të burimeve njerëzore nga organizata ndërkombëtare të ndryshme që veprojnë në Kosovë.