25 prill
Më 23 dhe 25 prill 2024, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) priti në vizitë një delegacion nga Policia e Gjermanisë.
Delegacioni, i përbërë prej 14 anëtarëve, u mirëprit nga Zëvendësshefja e Misionit EULEX, Emily Rakhorst, e cila theksoi rëndësinë e kontributit të palëkundur të Gjermanisë për Misionin.
Delegacioni vijoi prezantime të ndryshme, përfshirë nga Zëdhënësja vendase, Donika Berisha Rizaj, e cila foli rreth mandatit kompleks të Misionit, nga Zëvendësudhëheqësja e Njësisë për monitorimin e rasteve, Heidi Heggdal, e cila prezantoi mbi punën e monitorimit të thuktë të rasteve të përzgjedhura përgjatë tërë zinxhirit të drejtësisë penale të Kosovës, dhe nga Analisti forenzik, Frank Mielke, i cili dha një shpjegim mbi rolin e ekspertëve të EULEX-it për mbështetjen e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe institucioneve të tjera përkatëse të Kosovës për gjetjen e fatit të personave të zhdukur.
Delegacioni po ashtu patën rastin të shkëmbejnë pikëpamje me Udhëheqësen e Divizionit të Burimeve Njerëzore, Anita Janassary, dhe me pjesëtarët e stafit të EULEX-it të deleguar nga Policia e Gjermanisë.
Më 25 prill, përfaqësuesit e delegacionit vizituan Qendrën e EULEX-it në Mitrovicë, ku u informuan nga Komandanti i Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) të EULEX-it Krzysztof Kosinski mbi rolin e NJPS të EULEX-it si reagues i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë. Pas këtij informimi, ata mësuan më shumë rreth punës së Këshilltarëve policorë të EULEX-it për veri në mbështetjen e angazhimeve policore të Policisë së Kosovës të orientuara drejt komunitetit.