Lajme

EULEX-i rrit sensibilizimin për krimet mjedisore në partneritet me projektin HAPE të financuar nga BE-ja

23 prill

Për ta shënuar përmbylljen e Javës së Tokës, më 23 prill, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në partneritet me Programin për Punë të Brendshme të BE-së (HAPE) të financuar nga BE-ja, e organizoi një konferencë sensibilizuese për krimet mjedisore për zyrtarë të policisë dhe prokurorë të Kosovës.

Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues nga institucionet e Kosovës dhe folës ndërkombëtarë, të cilët shkëmbyen qëndrime mbi rreziqet dhe dëmet e shkaktuara nga krimet mjedisore në Kosovë – që në mënyrë të veçantë i prekin pjesën e cenueshme të popullatës si gratë dhe fëmijët. Shembujt përfshijnë ndotjen e ajrit dhe ujit, prerjen e paligjshme të drunjve, hedhjen e paligjshme të mbeturinave dhe ndërtimet pa leje.

Duke hapur konferencën, Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, theksoi se: "Qasja në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është një e drejtë universale e njeriut dhe autoritetet anembanë globit po rrisin përpjekjet e tyre për t’i parandaluar dhe ndëshkuar krimet mjedisore", duke shtuar se "krimet mjedisore kanë ndikim tek të gjithë ne, drejtpërdrejt ose tërthorazi".

Barbano përsëriti gjithashtu përkushtimin e Misionit për t’i luftuar sfidat e sigurisë që lidhen me ndryshimet klimatike dhe shkatërrimin e mjedisit, duke përfshirë krimet mjedisore, në përputhje me Kompaktin e Sigurisë dhe Mbrojtjes së Përbashkët Civile, duke shtuar se si: “Trajtimi i krimeve mjedisore kërkon zbatim efektiv të ligjit, kornizave rregullatore dhe bashkëpunim ndërkombëtar”.

someImg

Zëvendës-shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, nënvizoi punën e BE-së kundër krimeve mjedisore, duke konfirmuar se: “Përkushtimi i BE-së në luftimin e krimeve mjedisore shkon përtej vetëm fjalëve. Ne i japim prioritet krimeve mjedisore në agjendën politike, ndajmë burime dhe përmirësojmë bashkëpunimin. Së bashku, ne mund ta mbrojmë planetin tonë për brezat e ardhshëm. Jam e bindur se farat që mbjellim sot do të japin fryte në të ardhmen e afërt”.

someImg

Ambasadori i Belgjikës, Grégoire Cuvelier, mori fjalën duke i falënderuar autoritetet e Kosovës për angazhimin e tyre në luftimin e krimeve mjedisore dhe theksoi dimensionin ndërkombëtar të këtij problemi, duke kujtuar se si: “Belgjika është shteti i parë anëtar i BE- së që e ka rishikuar kodin e saj penal në mënyrë që ta përfshijë veprën e ekocidit”.

someImg

Zëvendës-ambasadori i Italisë, Ugo Ferrero, theksoi ndikimet në shkallë globale të shkaktuara nga krimet mjedisore: “Shkatërrimi i mjedisit dhe ndryshimet klimatike nuk janë vetëm kërcënim në vetvete, por faktorë rreziku. Ngrohja globale çon në ndryshime më të shpeshta dhe ekstreme të motit dhe fatkeqësi natyrore, si dhe shkatërrim të ekosistemit në të gjithë globin.”

someImg

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, konfirmoi se lufta kundër krimeve mjedisore dhe mbrojtja e burimeve natyrore është prioritet për sistemin prokurorial në Kosovë.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e marrë nga partnerët ndërkombëtarë në këtë fushë ai tha: “Insistojmë dhe do të insistojmë që politika ndëshkimore për krimet kundër mjedisit të jetë shumë më e ashpër se sa deri më tani”.

someImg

Zëvendës-ministri i Mjedisit, Jeton Raka, duke rikujtuar ekzistencën e një kornizeje ligjore solide në luftën kundër krimeve mjedisore, bëri të ditur se: “Me rastin e shënimit të Ditës së Tokës kemi marrë vendim si Ministri e Mjedisit për krijimin e Task Forcës së Gjelbër”.

“Kosova ka një bazë të mirë ligjore për parandalimin dhe luftimin e krimit mjedisor e cila kryesisht është e adresuar përmes dispozitave dhe ligjeve për mbrojtjen e mjedisit, ligjeve për mbrojtjen e natyrës, ligjin e pyjeve, ujërave, ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Kodin Penal por edhe me akte specifike nënligjore”.

someImg

Zëvendës-ministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, e shpjegoi rolin e rëndësishëm që luan mbrojtja e mjedisit në parandalimin e problemeve shëndetësore: “Adresimi i shëndetit mjedisor tejkalon thjeshtë politikën. Kërkon një ndryshim kolektiv në mendësi dhe sjellje. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur”, tha ajo, duke i bërë thirrje secilit prej nesh që ta luajë rolin e vet.

someImg

Pas fjalëve hyrëse, konferenca vazhdoi me prezantime të ndryshme me qëllim të njohjes më të mirë të situatës ekzistuese në lidhje me çështjen e krimeve mjedisore.

Monitoruesi Kryesor Tematik i EULEX-it për Krimet Mjedisore, Vesa Satamo, bëri një përmbledhje të krimeve më të zakonshme të kryera në Kosovë, duke i theksuar ndikimet e tyre si në burimet natyrore ashtu edhe në njerëz, si dhe duke e shpjeguar rolin monitorues të Misionit në një fushë kaq të rëndësishme.

someImg

Komandanti i Stacionit Policor në Junik, Toger Rasim Syla, e prezantoi punën e bërë nga Policia në hetimin e krimeve mjedisore, si dhe në ngritjen e vetëdijes së popullatës së Junikut për çështjet e mbrojtjes së mjedisit dhe rregulloret në fuqi për parandalimin e shkatërrimit të mjedisit.

someImg

Në orët e pasdites, Shefi i Divizionit për Krimet e Organizuara të Rënda (KOS), Majori Arsim Krasniqi, u përqendrua në krimet e rënda dhe të mëdha mjedisore në Kosovë, ndërsa Elbasan Shala, nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, u ofroi të pranishmëve një përmbledhje gjithëpërfshirëse statistikore dhe të dhënave.

someImg someImg

Konferenca u mbyll me një tryezë diskutimi ku pjesëmarrësit shkëmbyen mendime me folësit.

Në veçanti, Udhëheqësi i Ekipit HAPE, Vincenzo Tagliaferri e prezantoi Projektin HAPE, që zbatohet nga Belgjika, Franca dhe Italia, si dhe foli gjerësisht për direktivën e re për mbrojtjen e mjedisit, për fuqizimin e luftës kundër shkeljeve më të rënda mjedisore që mund të kenë efekte shkatërruese si në mjedisin ashtu edhe në shëndetin e njeriut.

someImg

Pjesëmarrësit patën mundësinë gjithashtu të dëgjonin për praktikat më të mira në luftimin e krimeve mjedisore nga Kolonel Cristina Avanzo, Komandante e Qendrës Italiane të Ekselencës për Mbrojtjen e Mjedisit të Sabaudias, dhe nga Eric Stephan, Menaxher i Projektit në Departamentin për Strategji Ndërkombëtare të Komandës së Xhandarmërisë Franceze për Mjedisin dhe Shëndetin (CEZAN).

someImg someImg

Konferenca u organizua në kuadër të projektit në shkallë të vogël të EULEX-it “Krimet mjedisore”, i zhvilluar në kuadër të Platformës Multidisiplinare Evropiane Kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT).