Lajme

Rasti i vjedhjes së orëve Rolex në Bahrejn – rast historik për institucionet juridike të Kosovës

01 shtator 2015

Më datën 7 gusht, një trup gjykues i përbërë prej dy gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe një gjyqtari vendas nxori vendim rreth një rasti që është historik për institucionet juridike të Kosovës. Ky rast, vjedhje e nivelit të lartë në një butik të orëve Rolex në Bahrejn, ishte operacion i sofistikuar i kryer prej një grupi kriminal ndërkombëtar që kishte lidhje të forta me Kosovën. Arrestimi dhe dënimi i kryesve të veprës  dëshmojnë maturimin dhe aftësinë e institucioneve juridike të Kosovës për ndarje të drejtësisë në nivel ndërkombëtar. 

Vjedhja ishte planifikuar mirë dhe ishte paraprirë me misione vëzhgimi nga Kosova në Bahrejn. Më 10 shtator të vitit 2013, kryerësit e veprës ishin veshur në fustane ‘burka’ të femrave dhe kishin shkuar në afërsi të qendrës tregtare City Centre Manamana në qytetin e Bahrejnit. Me të arritur aty, ata e kishin sulmuar rojën e sigurisë me spërkatës prej piperi dhe e kishin goditur me shkop druri, ku ai kishte mbetur i palëvizshëm. Kryerësit e veprës e kishin thyer xhamin prej qelqi të butikut Rolex dhe kishin vazhduar me vjedhjen e shtatëdhjetë orëve të dorës të firmës Rolex dhe nëntë orëve të dorës të firmës Theodore, që arrinin vlerën prej 1.1 milion euro. Të nesërmen, kryerësit e veprës i kishin fshehur shumicën e orëve dhe ishin larguar nga Bahrejni.

Hetimet dhe zgjidhja e komplotit filluan pasi që policia e Bahrejnit e gjeti veturën me të cilën kishin ikur të dyshuarit. Vetura ishte marrë me qira me pasaportë të falsifikuar. Për fat të mirë, fotografia në pasaportë kishte qenë e vërtetë. Pas analizimit të video-incizimeve të gjata nga Aeroporti ndërkombëtar i Bahrejnit, autoritetet e kishin identifikuar personin i cili e kishte marrë veturën me qira. Të tjerët u gjetën përmes tij meqë ata ishin duke udhëtuar bashkë. Pasi që shumica e kryerësve të veprës ishin identifikuar si kosovarë, autoritetet e Bahrejnit kishin lëshuar fletëarrest ndërkombëtar dhe e kishin kontaktuar Policinë e Kosovës. 

Shqyrtimi i rastit nga institucionet e Kosovës dëshmon për aftësinë e tyre për punë dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Pas lëshimit të fletëarrestit ndërkombëtar, një prej kryerësve të veprës së vjedhjes ishte arrestuar në Shqipëri. Përmes bashkëpunimit intensiv me Bahrejnin dhe Shqipërinë, autoritetet e Kosovës e intervistuan të dyshuarin dhe e siguruan ekstradimin e tij për në Kosovë. Ektradimi i të dyshuarit kryesor për në Kosovë, e jo në Bahrejn, ishte sukses i madh, meqë u mundësoi autoriteteve të Kosovës kryerjen e hetimeve më efikase, dhe ndjekjen penale e dënimin e të pandehurit. Hetimet përfshinë një numër kërkesash për ndihmë juridike ndërkombëtare që janë dërguar nga Kosova për në Bahrejn, por edhe nga Bahrejni për në Kosovë, gjë që ka rezultuar me bashkëpunim dhe shkëmbim shumë efikas të informatave. Në këtë rast institucionet e Kosovës kanë treguar bashkëpunim ndërkombëtar të jashtëzakonshëm. Si rezultat i tërë kësaj, Kosova ka kaluar një hap të madh drejt pranimit si partnere ndërkombëtare në luftën kundër krimit ndërkombëtar, si dhe si shtet me kapacitete për trajtim të duhur të çështjeve gjyqësore ndërkombëtare. 

Ky rast po ashtu ka dëshmuar edhe aftësinë e Policisë së Kosovës. Hetimet ishin jashtëzakonisht të vështira për shkaqe të ndryshme, ku si e para ishte vendi i ngjarjen në kontinent tjetër. Përveç kësaj, gjatë hetimeve asnjë orë e vjedhur nuk ishte marrë prej të dyshuarve dhe të gjithë kryerësit e veprës e kishin shfrytëzuar të drejtën për të mos u deklaruar. Rrjedhimisht, hetimet ishin mbështetur shumë në teknikat e sofistikuara, siç janë vëzhgimet me kamerë, përgjimet e komunikimit dhe mostrat e ADN-së. Policia e Kosovës i kishte shfrytëzuar këto teknika në mënyrë efektive dhe shumica e kryerësve ishin arrestuar. Gjatë gjykimit, ndjekja u mbështetë pothuajse vetëm në prova shkencore. Megjithatë, për shkak të punës hetimore të shkëlqyeshme nga Policia e Kosovës, ndjekja pati mundësinë që të siguroi dënime të mëdha. 

Por, pavarësisht faktit se shumica e kryerësve të kryerjes së vjedhjes janë dënuar, ka prova të mjaftueshme që tregojnë për lidhje të shumta ndërkombëtare të këtij grupi kriminal që vazhdojnë të qëndrojnë në liri. Për shembull, autoritetet e Bahrejnit e kishin arrestuar një qytetar të Kosovës i cili kishte shkuar në Bahrejn për t’i marrë artikujt e vjedhur. Njëkohësisht, autoritetet e Bahrejnit e kishin arrestuar një qytetar turk i cili kishte për t’i marrë orët. Këto fakte tregojnë se orët nuk kishin për destinacion tregun e Kosovës, por atë të Turqisë apo ndonjë vend tjetër ndërkombëtar. Përveç kësaj, dy prej kryerësve kryesorë po ashtu janë në liri. 

Megjithatë, ky rast paraqet hap të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar në Kosovë, çka është e arritur e rëndësishme për bartjen e kompetencave ekzekutive nga Misioni tek institucionet e vendit me përmbylljen e mandatit në vitin 2016.

Rasti aktualisht është në procedurë të apelit.