16 mars 2017
Dymbëdhjetë studentë nga Universiteti i Beogradit, Fakulteti i Shkencave Politike, të përkrahur nga OJQ Iniciativa Rinore për të Drejta të Njeriut (IRDNJ), u takuan me Shefen e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou për t’i kuptuar më mirë mandatin dhe sfidat aktuale të këtij Misioni. Vizita e tyre paraqet herën e parë kur studentë nga Universiteti i Beogradit takohen me EULEX-in.
Zj. Papadopoulou diskutoi për mandatin e këtij Misioni, mënyrat se si bashkëvepron EULEX-i me aktorët tjerë ndërkombëtarë për t’i fuqizuar institucionet kosovare për sundimin e ligjit, si dhe angazhimet e vazhdueshme për t’i mbështetur aspiratat evropiane të Kosovës. “Suksesi i EULEX-it është i lidhur me suksesin e Kosovës. Ky mision në të ardhmen do të vlerësohet në bazë të shkallës së suksesit të Kosovës në ndërtimin e një sistemi gjyqësor të qëndrueshme në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira”.
Zyra e IRDNJ në Beograd e ka organizuar një program të ngjeshur katër ditor për studentët. Kur u pyetën për rëndësinë e kësaj vizite, asistentja e programit IRDNJ zj. Jovana Prusina u përgjigj, “Kjo vizitë është e rëndësishme për neve si studentë të rinj të cilët një ditë do të bëhen liderët dhe politikë-bërësit e Beogradit.” Ajo vazhdoi duke thënë, “Mundësimi i këtyre bashkëbisedimeve është i rëndësishëm për rajonin, nëse duam një të ardhme më të mirë për Ballkanian.”
IRDNJ është një OJQ e cila vepron në tërë Ballkanin për ta promovuar të vërtetën, drejtësinë, përgjegjësinë dhe barazinë si vlera themelore. Kjo organizatë angazhohet për mbrojtjen e viktimave të shkeljes së të drejtave të njeriut, krijimin e lidhjeve të reja në rajon në mes të gjeneratave të pas luftës, si dhe për ta përfshirë rininë në procesin e drejtësisë tranzicionale.