25 maj 2017
Njësia këshilluese e EULEX-it për punë të brendshme organizoi dy aktivitete të ndara në lidhje me ngritjen e vetëdijesimit rreth procedurave ekzistuese dhe përfitimeve nga ofrimi i shërbimeve të gjendjes civile dhe regjistrimit civil qytetarëve nga veriu i Kosovës.
Aktiviteti i parë ishte një punëtori e mbajtur më 22 dhe 24 maj në Akademinë për Sigurinë Publike në Vushtrri e cila u vijua nga të sapopunësuarit të cilët do të fillojnë detyrat si zyrtarë të regjistrit civil në qendrat e Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës në katër komunat veriore. Këta zyrtarë janë integruar në institucionet e Kosovës si pjesë e dialogut të fasilituar nga BE-ja.
Gjatë punëtorisë, zyrtarët e sapopunësuar të regjistrit civil u trajnuan dhe u informuan rreth procedurave më të reja për regjistrimin dhe grumbullimin e dokumenteve të regjistrimit civil. Këto aftësi janë thelbësore që zyrtarët të mund t’i kryejnë përgjegjësitë e tyre të reja në veri.
Aktiviteti i dytë ishte në formë të diskutimeve në tryezë të rrumbullakët, të facilituar nga EULEX-i në Prishtinë më 23 dhe 25 maj. Ky diskutim ishte i përqendruar në lëshimin e dokumenteve të regjistrimit të veturave dhe dokumenteve të tjera përkatëse. Të pranishëm ishin koordinatorë të regjistrimit civil nga qendrat nga mbarë Kosova. Diskutimet në tryezë të rrumbullakët u mbajtën në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Regjistrimit Civil.
Të dy aktivitetet, e organizuara dhe të facilituara nga Njësia këshilluese e EULEX-it për punë të brendshme në koordinim me Agjencinë për Regjistrim Civil, ishin pjesë e një iniciative më të gjerë për mbështetjen e regjistrit civil të qëndrueshëm dhe të sigurt në Kosovë.