08 shtator 2017
Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou, bisedoi me anëtarët e Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë në Deçan për ta inkurajuar barazinë gjinore në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira. Që nga krijimi i tij në vitin 2014, ky Lob i bashkon gratë dhe burrat nga politika dhe shoqëria civile në një platformë të përbashkët të avokimit për barazinë gjinore.
Papadopoulou e përshëndeti progresin në Kosovë sa i përket respektimit të barazisë gjinore, ndërsa ka theksuar se duhen bërë edhe përmirësime tjera përpara se femrat të jenë plotësisht të integruara në shoqëri.
“Përkundër kornizës ligjore progresive, të gjithë ne e dimë se për zbatimin e këtyre ligjeve kërkohet angazhim i madh. Për këtë kërkohet ndryshimi i qëndrimeve dhe perceptimeve në kuadër të individëve, brenda institucioneve dhe në shoqëri si tërësi,” tha Papadopoulou.
Duke i inkurajuar të gjithë për të ndërtuar platforma të përgjithshme, Papadopoulou e theksoi rëndësinë e përfshirjes si të femrave ashtu edhe të meshkujve, dhe e nënvizoi shprehjen e njohur “Asnjë shoqëri nuk mund të ecën përpara nëse e len mbrapa gjysmën e popullatës së saj.”
Për sa i përket mandatit të EULEX-it, Papadopoulou tha, “EULEX-i ka për synim të kontribuojë në ndërtimin e institucioneve të Sundimit të Ligjit që bazohen në parimin e barazisë gjinore dhe që i mbrojnë femrat dhe vajzat nga dhuna dhe diskriminimi.”
“Në fund të fundit, barazia gjinore është e drejtë themelore dhe një nga parimet e Bashkimit Evropian, prandaj ne e mbështesim plotësisht zbatimin e Rezolutës 1325 “Gruaja, paqja dhe siguria” e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila e mbështet pjesëmarrjen e grave në negociatat për paqe dhe bën thirrje për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna seksuale dhe në bazë gjinore,” tha në fund Papadopoulou.