Lajme

Intervistimi dhe menaxhimi i viktimave të ndjeshme

10 prill 2018

EULEX-i ka mundësuar mbajtjen e një kursi dyjavor për trajnimin e trajnerëve për zyrtarët e Policisë së Kosovës në lidhje me temën e intervistimit dhe menaxhimit të viktimave të ndjeshme gjatë hetimit të veprave të dhunës seksuale dhe të bazuar në gjini (DhSBGj).

Qëllimi i trajnimit ishte që Policia e Kosovës t’i zotërojë kapacitetet e veta për ofrimin e trajnimeve të tilla për stafin e vet, si dhe aftësitë për zhvillimin e mëtejmë të trajnimeve të tilla në të ardhmen.

Gjatë kursit dhjetëditor, stafi nga EULEX-i mbështeti një eksperte të jashtme dhe punoi me stafin nga Policia e Kosovës. Kursi u përqendrua në teknikat e intervistimit kognitiv dhe në atë se si ky trajnim mund të ofrohet për stafin operacional.

Ligjëruese në trajnim ishte ekspertja nga Mbretëria e Bashkuar Kay Durant, hetuese me përvojë të gjatë në fushën e DhSBZ dhe eksperte për mënyrat e intervistimit dhe menaxhimit të viktimave të ndjeshme. Asaj i ofruan mbështetje Cindy Syes, këshilltare nga EULEX-i për PK në lidhje me çështjet e dhunës së bazuar në gjini, dhe Damare Elizabeth Theriot, prokurore nga EULEX-i me ekspertizë në hetimin e veprave seksuale.

Trajnimi përfshiu pjesë teorike dhe praktike për praktikat më të mira për intervistimin dhe menaxhimin e viktimave të ndjeshme, dhe u vijua me diskutime ndëraktive mes trajnerëve dhe pjesëmarrësve. Pjesëmarrësve po ashtu iu dhanë detyra për përgatitjen e planeve të mësimeve dhe për bërje të prezantimeve në bazë të trajnimit, çka u vlerësua nga trajnerët ashtu edhe nga kolegët.

“Trajnimi do të jetë i dobishëm për të gjithë zyrtarët e policisë që janë të pranishëm, dhe përvoja që morëm këtu do të na e mundësojë bartjen e këtyre njohurive tek kolegët në të gjitha njësitë tona. Ky trajnim na ka ndihmuar që të kuptojmë se çfarë shkathtësish na nevojitet t’i kemi për t’u bërë trajner, se si të ligjërojmë dhe si t’i përmbahemi temës gjatë ligjërimit. Më vjen mirë që e vijuam këtë trajnim”, tha Driton Marevci, Toger në Policinë e Kosovës dhe Udhëheqës i Njësisë kundër Trafikimit në Policinë në Ferizaj.

Prezantimet e bëra nga pjesëmarrësit pasqyruan njohuritë e mësuara dhe shkathtësitë e transferueshme të cilat janë zhvilluar më tej gjatë dy javëve të fundit.

“Prezantimet nga Policia e Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe tregojnë se sa ata tashmë e kanë kuptuar dhunën në familje në Kosovë. Këtu u mbuluan shumë çështje dhe se si ato ndikojnë tek viktimat dhe familjet e tyre. Jam jashtëzakonisht e kënaqur me zhvillimin e sesioneve dhe me atë se sa mirë u pranua përmbajtja e kursit nga të gjithë pjesëmarrësit” tha Kay Durant.

Objektiva e përgjithshme e programit është ngritja e mëtejme e kapaciteteve trajnuese vetanake brenda Policisë së Kosovës dhe zhvillimi institucional afatgjatë drejt përmirësimit të shkathtësive dhe njohurive për trajtimin e viktimave të ndjeshme në nivel organizativ.

Cindy Syes tha, ‘EULEX-i është shumë i kënaqur me rezultatin e arritur nga ky program, meqë ai ofron kapacitete të qëndrueshme për Policinë e Kosovës dhe është mu në boshtin e ofrimit të shërbimeve të besueshme nga policia për qytetarët e Kosovës.

EULEX-i është i përkushtuar për të mbështetur Policinë e Kosovës dhe ngritjen e shkathtësive, njohurive dhe ekspertizës për trajtimin e viktimave të ndjeshme.