Lajme

Përmbyllet në Romë trajnimi i organizuar nga EULEX-i “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore”

19 tetor 2018

Më 11 tetor u përmbyll në Romë një vizitë studimore katër-ditore gjatë së cilës është mbajtur një trajnim lidhur me temën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore për katër përfaqësues të Policisë së Kosovës në Komandën e Karabinierit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Ky trajnim i organizuar nga EULEX-i, qëllimi i së cilit ishte ngritja e kapaciteteve të Policisë së Kosovës për luftimin efektiv të qarkullimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore, mblodhi përfaqësues të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Sundimin e Ligjit (ILECU) dhe Njësitë kundër Krimeve të Rënda dhe Krimeve Ekonomike.

Vincenzo Giancarlo Cardinale, menaxher i projektit dhe udhëheqës i ekipit të Njësisë së EULEX-it për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar, theksoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në këtë fushë mes të gjitha palëve, përfshirë edhe muzetë dhe galeritë, dhe shtoi: “Delegacioni nga Policia e Kosovës është trajnuar në fushën e qarkullimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore nga ekspertë të aftë të Karabinierit, akter kryesor në luftën ndërkombëtare kundër trafikimit të pronës kulturore”.

Duke folur për rëndësinë që trajnimi ka për Policinë e Kosovës, Drejtori i Njësisë së Policisë së Kosovës kundër Krimeve të Rënda, Fadil Gashi, tha: “Ky trajnim ishte shumë i dobishëm për zhvillimin e Policisë së Kosovës në këtë fushë ngase na ka pajisur me njohuri rreth metodave kyçe hetimore me qëllim krijimin e një ekipi të hetuesve të Policisë së Kosovës për t’u marrë me këto raste”.