Lajme

Deklaratë nga Përfaqësuesja e lartë, në emër të BE-së, me rastin e Ditës ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve – 2 nëntor 2018

02 nëntor 2018

Demokracia nuk mund të jetojë pa media të lira, pluraliste, dhe të pavarura. Gazetarët dhe akterët e tjerë të mediave nga mbarë globi kërkojnë nga shtetet, zyrtarët qeveritarë, korporatat dhe shoqëria në tërësi të japin përgjegjësi për veprimet që i bëjnë. Por një numër shumë i madh prej tyre përballen me kërcënime dhe sulme thjeshtë për shkak se kryejnë punën e tyre, ndërsa kryerësit e këtyre sulmeve shpesh veprojnë pa u ndëshkuar fare.

Në këtë ditë, e shpallur me Rezolutën 68/163 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë për krimet kundër gazetarëve, ne i nderojmë të gjithë ata gazetarë nga mbarë bota që kanë humbur jetën dhe kanë përjetuar sulme gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Ne po ashtu i nderojmë edhe të gjithë ata gazetarë të guximshëm që marrin përsipër punën e kolegëve të cilët nuk mund të vazhdojnë më tutje me hulumtime.

Vrasjet e gazetarëve hulumtues Daphne Caruana Galizia dhe Jan Kuciak në BE tregojnë se asnjë rajon i botës nuk është imun ndaj kësaj dukurie. Këto krime mizore duhet të hetohen në hollësi dhe të ndiqen penalisht, siç është rasti për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në Konzulatën saudite në Stamboll. Ne kemi kërkuar dhe presim që Arabia Saudite të bashkëpunojë për hetime të hollësishme, kredibile dhe transparente, dhe këmbëngulim që të ketë qartësi rreth rrethanave të vdekjes së tij dhe llogaridhënie të plotë të të gjithë atyre që janë përgjegjës për atë.

Në shumë shtete është e pranishme një tendencë shqetësuese për shkatërruar dhe ngushtuar hapësirën për gazetari të lirë, shpesh duke vënë në pikëpyetje, pa bërë dallim, kredibilitetin e mediave me qëllim të diskreditimit dhe dobësimit të punës që ato bëjnë. Gazetarëve iu nevojitet një mjedis ku ata do të mund të punojnë në siguri dhe parrezikshmëri, si në internet dhe teren, pa frikë nga ngacmimi, presioni politik, censurimi, apo persekutimi. Sistemi ligjor i fuqishëm duhet t’i mbrojnë shtëpitë mediatike dhe gazetarët në mbarë botën në mënyrë që ata të mund të kryejnë punën e tyre me pavarësi të plotë. Në një kohë kur dezinformimi është në rritje e sipër, siguria e gazetarëve duhet të garantohet për t’iu mundësuar promovimin e raportimeve të sakta për të mirën dhe interesin e të gjithë qytetarëve tonë.

BE-ja do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet e duhura të politikës së jashtme dhe ato financiare për të ngritur cilësinë e gazetarisë, qasjen në informatat publike dhe lirinë e të shprehurit. Ajo do të vazhdojë me financimin e Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias dhe sigurimin e mbrojtjes së caktuar përmes programeve të Mbështetjes për Mbrojtësit e të Drejtave të Njeriut.

Të gjitha shtetet brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian kanë për detyrim t’i përmbushin obligimet e tyre për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve përmes krijimit të mjedisit ligjor fuqizues, duke i marrë kërcënimet kundër gazetarëve me seriozitet dhe duke i ndjekë penalisht fuqishëm sulmet e bëra. Ne presim që të gjithë të zbatojnë masa parandaluese, përmes mobilizimit të të gjitha palëve dhe krijimit të mekanizmave nacionale për sigurinë, në pajtim me Planin e OKB-së për veprim rreth sigurisë së gazetarëve dhe çështjes së mosndëshkueshmërisë.

Gazetaria e lirë është boshti i shoqërive të lira: cenimi i saj nënkupton cenim të lirisë sonë.