Komponenti për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese

Komponenti për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese

Komponenti për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese

Komponenti për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese

Në kuadër të Komponentit për Drejtësi dhe Shërbime Korrektuese, Njësia për Monitorimin e Rasteve kryen monitorim të thuktë të rasteve të caktuara, i cili e mbulon tërë zinxhirin e drejtësisë penale, si dhe të rasteve të drejtësisë civile për çështje të pronave dhe privatizimit. Njësia për Monitorimin e Rasteve përqendrohet në rastet të cilat janë trajtuar nga EULEX-i gjatë mandatit të mëparshëm të tij që ka përfunduar në mes të qershorit 2018 e që më pastaj i janë dorëzuar gjyqësorit vendas, si dhe në raste të tjera, duke përfshirë raste të profilit të lartë, raste të krimeve të luftës, raste të dhunës në baza gjinore, raste të korrupsionit, raste pronësore dhe raste të terrorizmit. Njësia për Monitorimin e Rasteve i bën vlerësim funksionimit të sistemit të drejtësisë të Kosovës në aspektin e përputhshmërisë procedurale, juridike dhe të drejtave të njeriut. Vlerësimi kryhet përmes monitorimit të thuktë sistemik dhe tematik të rasteve të përzgjedhura përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale, përkatësisht në nivel të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit. Nga qershori 2018 deri më 14 qershor 2025, monitoruesit e EULEX-it në drejtësi kanë marrë pjesë në 2840 seanca gjyqësore të 395 rasteve aktive penale dhe civile. Ky monitorim i thuktë ka rezultuar me tetë raporte me gjetje dhe rekomandime për autoritetet e Kosovës me qëllim adresimin e mangësive të identifikuara dhe përmirësimin e sistemit të drejtësisë.

Në maj të vitit 2021, Misioni e publikoi një raport special për ndikimin e COVID-19 në sundimin e ligjit në Kosovë. Në vitin 2022 Misioni publikoi raportin special “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë” dhe në vitin 2023, Misioni publikoi raportin “Aplikimi i lirimit me kusht në Kosovë: Gjetje dhe rekomandime”.

Njësia Korrektuese, me anë të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit i mbështetë angazhimet e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) për ta zhvilluar një ekip drejtues profesional. Kjo arrihet falë pranisë së rregullt dhe mobile të ekspertëve korrektues të EULEX-it në të gjitha institucionet korrektuese në Kosovë dhe përmes takimeve të shumta me stafin e SHKK-së. Njësia Korrektuese, po ashtu, e ndihmon SHKK-në për rritjen e kapaciteteve të saj për sigurimin e rehabilitimit të burgosurve, për luftimin e ndërhyrjeve dhe të trajtimit preferencial të burgosurve, si dhe për parandalimin e përsëritjes së veprave. Që nga viti 2021, EULEX-i e mbështetë edhe Shërbimin Sprovues të Kosovës (SHSK).

Nga qershori 2018 deri më 14 qershor 2025, stafi i Njësisë Korrektuese të EULEX-it kanë kryer mbi 1150 vizita në teren nëpër institucione të ndryshme korrektuese dhe nëpër zyra rajonale të shërbimit sprovues dhe kanë mbajtur me qindra takime me stafin e SHKK-së dhe SHSK-së për t’i mbështetur drejtuesit në adresimin e çështjeve strategjike si dhe kanë mbështetur trajnime, punëtori dhe grupe punuese për mbi 2600 pjesëmarrës. Përveç kësaj, Njësia Korrektuese e EULEX-it i ka monitoruar 109 përcjellje për nevoja spitalore të burgosurve të profilit të lartë.

Që nga krijimi i tij, Misioni e mbështet kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur përmes Ekipit të tij të Mjekësisë Ligjore.

Rreth 1,590 persona, të cilët u raportuan të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 - 31 dhjetor 2000, si pasojë e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, janë ende të zhdukur. Familjet e tyre kanë të drejtë ta dinë të vërtetën.

Në mënyrë që pjesëtarët e familjeve të personave të zhdukur ta realizojnë të drejtën e tyre për ta ditur të vërtetën, Ekipi Mjeko-Ligjor (EML) i EULEX-it është bashkë-vendosur në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës (IML), duke punuar krahas me homologët vendas dhe duke kontribuar në forcimin e përgjithshëm të kapaciteteve mjekoligjore dhe duke ofruar ndihmë, veçanërisht përmes kapaciteteve antropologjike, arkeologjike dhe analitike.

Ekspertët mjekoligjorë të EULEX-it vazhdojnë të punojnë vërtetë krah përkrah me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe institucionet e tjera përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në lidhje me konfliktin në Kosovë, pavarësisht rrethanave të zhdukjes së tyre, përkatësisë së tyre etnike, fetare apo kombëtare, apo çfarëdo karakteristike tjetër.

Prej fillimit të mandatit të EULEX-it deri më 14 qershor 2025, EULEX-i ka kryer 873 operacione në teren për gjetjen e personave të zhdukur, përfshirë 219 zhvarrosje. Mbetjet mortore të 543 personave janë identifikuar, përfshirë 370 persona të zhdukur.

Gjithashtu, ekspertët e EULEX-it e mbështetin IML-në për rishikimin e mbetjeve mortore të paidentifikuara në morgun e Prishtinës.