Komponenti për Informata dhe Operacione Policore

Komponenti për Informata dhe Operacione Policore

Komponenti për Informata dhe Operacione Policore

Komponenti për Informata dhe Operacione Policore

Funksionet operacionale kryhen nga Komponenti për Informata dhe Operacione Policore i Misionit, i cili ka kapacitet të mbetur të kufizuar si reagues i dytë i sigurisë dhe i ofron mbështetje zhvillimit operacional të Policisë së Kosovës për kontrollimin e turmave dhe trazirave.

Më saktësisht, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS), e cila përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë polakë, vepron si reaguesi i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë, duke qenë pjesë e një mekanizmi me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse Misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është reaguesi i tretë. Në rolin e saj si reaguese e dytë e sigurisë, NJPS e EULEX-it mund të angazhohet vetëm me kërkesë specifike të reaguesit të parë të sigurisë me qëllim që të kontribuojë në ruajtjen dhe përmirësimin e rendit dhe sigurisë publike në raste të trazirave qytetare, për ta mbrojtur të drejtën për siguri, jetë, dhe pronë të gjitha komuniteteve në Kosovë. Për të qenë të informuar mbi situatën, NJPS kryen patrullime mobile të vëzhgimit me orar 24/7, që bëhet me ndërrime. NJPS merr pjesë rregullisht në ushtrime për kontrollimin e turmave dhe trazirave së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Qëllimi i këtyre ushtrimeve është sigurimi i bashkërendimit të rrjedhshëm në mes të tre reaguesve të sigurisë në rast të ndonjë angazhimi real.

EULEX-i e mbështetë Policinë e Kosovës edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave policore ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europol-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Nga qershor 2018 deri më 14 qershor 2025, EULEX-i ka pranuar dhe ka dërguar 1871 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave ndërmjet Europol-it dhe Policisë së Kosovës dhe 3653 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë në përputhje me protokollin për bashkëpunim policor ndërmjet këtyre dy subjekteve. Misioni, po ashtu, lehtëson shkëmbimin e informatave ndërmjet Byrove Qendrore Kombëtare të Interpol-it dhe Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e Zbatimit të Ligjit nën ombrellën e Zyrës Ndërlidhëse të Interpol-it brenda UNMIK-ut. Nga muaji qershor 2018 deri më 14 qershor 2025, pjesëtarët e Misionit EULEX të cilët punojnë në Zyrën Ndërlidhëse të Interpol-it në kuadër të UNMIK-ut kanë pranuar dhe dërguar 14,645 kërkesa.

Përmes Njësisë së Këshilltarëve Policorë, Misioni e këshillon Drejtorinë Rajonale Veri të Policisë dhe katër stacioneve policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore, përfshirë punën policore në komunitet, si dhe punën në një mjedis shumë-etnik.

Misioni, po ashtu, i ndihmon Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës me mbështetje logjistike dhe operacionale në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.

Përveç kësaj, Misioni vazhdon të menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.