Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerKomunikata për Media  BreadCrumbTrailerEULEX-e mundëson riatdhesimin e 12 qytetarëve...

EULEX-e mundëson riatdhesimin e 12 qytetarëve kosovarë dhe katër qytetarëve polakë, ndërsa i kthen në Kosovë 31 zyrtarë të Njësisë Policore të Specializuar

23 prill 2020

Më 22 prill, EULEX-i e kontraktoi një fluturim çarter nga Varshava, Poloni në Prishtinë, Kosovë për t’i sjellë 31 policë polakë të Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it. Në të njëjtën kohë, me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, EULEX-i e mundësoi riatdhesimin pa pagesë të dymbëdhjetë qytetarëve të Kosovës të bllokuar në Poloni dhe Çeki.

Duke u shprehur mirëseardhje këtyre udhëtarëve në aeroportin e Prishtinës, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha: "Në mes të kësaj pandemie, kur të gjithë ne po mundohemi të bëjmë çmosndërsa shumë vende po përpiqen t’i kthejnë në shtëpi qytetarët e tyre, unë jam shumë i lumtur që Bashkimi Evropian, veçanërisht EULEX-i, ishte në gjendje që ta kthejë një dyzinë qytetarë të Kosovës në atdheun e tyre. Në të njëjtën kohë, sot u kthyen këtu edhe një numër i policëve polakë. Ata janë pjesë e të ashtuquajturit reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, i cili bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Kjo nuk është thjeshtë çështje sigurie, por edhe një çështje e sigurisë për Kosovën".

Wigemark shtoi: "Unë jam i kënaqur që, si EULEX dhe si Shef i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, ne ishim në gjendje ta bëjmë këtë, duke u koordinuar ngushtë me autoritetet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë e Kufirit dhe me linjën ajrore (LOT) të cilën e kontraktuam. E gjithë kjo është pa pagesë për ata që udhëtuan. Kjo është një kosto të cilën do ta mbulojmë ne, si Bashkim Evropian, dhe është një gjest i vullnetit të mirë dhe dëshmi e asaj se ne jemi këtu për ta ndihmuar Kosovën në kohë nevoje. Ky është qëllimi ynë kryesor, ne jemi partnerë të Kosovës dhe unë jam krenar që mundëm ta bëjmë këtë".

Në një koment zyrtar të saj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i shprehu EULEX-it falënderimin e saj të thellë për ndihmën dhe solidaritetin e tij.

Përveç këtyre qytetarëve të Kosovës, në Kosovë u kthyen përsëri 31 policë polakë dhe ata pritet t’i bashkohen Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it pas një periudhe karantinimi 14-ditore. Kthimi i tyre do t'i mundësojë Njësisë Policore të Specializuar që ta ruajë nivelin e gatishmërisë së saj si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë me kërkesë të Policisë së Kosovës dhe t’i vazhdojë patrullimet e saj vëzhguese të përditshme.

Në kohën kur shumë kompani ajrore i kanë pezulluar operimet e tyre për shkak të epidemisë me koronavirus, përmes këtij fluturimi special, EULEX-i gjithashtu e mundësoi riatdhesimin pa pagesë në Poloni të disa qytetarëve polakë që po qëndronin në Maqedoninë e Veriut. Në këtë mënyrë konkrete, EULEX-i kontribuoi në angazhimet globale të BE për t’i kthyer në shtëpi qytetarët e BE-së.

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media