Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerKomunikata për Media  BreadCrumbTrailerShefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit...

Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit u takua me Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale për ta diskutuar punën e PSRK-së dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in

27 prill 2020

Më 27 prill, Shefi i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, u takua me Kryeprokurorin e Zyrës së Prokurorisë Speciale (PSRK), Blerim Isufaj, për ta diskutuar punën e PSRK-së dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me EULEX-in, përfshirë ndikimin e epidemisë me koronavirus në punën aktuale të PSRK-së.

Gjatë këtij takimi, Shefi i EULEX-it e përshëndeti riorganizimin e paradokohshëm të PSRK-së dhe krijimin e departamenteve të specializuara për krimin e organizuar, korrupsionin publik dhe krimin financiar, krimet e luftës dhe terrorizmin, si dhe e falënderoi Kryeprokurorin e PSRK-së që ishte shtysa kryesore prapa kësaj nisme. "EULEX-i kishte avokuar për këtë riorganizim në raportet e tij sistematike dhe tematike të monitorimit të drejtësisë, të cilat përfshijnë gjetje dhe rekomandime për funksionimin e gjyqësorit të Kosovës", tha Wigemark. Kjo strukturë e re do ta mbështesë më mirë punën e PSRK-së në këto fusha të ndryshme dhe të ndjeshme penale, duke i përforcuar aftësitë specifike dhe ekspertizën e nevojshme për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht, ndër tjerash, edhe rastet e profilit të lartë.

Shefi i EULEX-it dhe Kryeprokurori i PSRK-së u pajtuan që ta vazhdojnë bashkëpunimin e krijuar ndërmjet EULEX-it dhe PSRK-së, si dhe me të gjitha prokuroritë e Kosovës. Wigemark e shprehu gatishmërinë për ta vazhduar monitorimin dhe këshillimin përmes pranisë së përbashkët të EULEX-it për t’i ndihmuar shërbimet e ndjekjes penale të Kosovës në përmirësimin e mëtejmë të punës së tyre e cila është esenciale për sundimin e ligjit në Kosovë.

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media