Fillimi  BreadCrumbTrailer Zyra për Komunikim dhe Media  BreadCrumbTrailerKomunikata për Media  BreadCrumbTrailerNdikimi i COVID-19 në Sundimin e Ligjit në...

Ndikimi i COVID-19 në Sundimin e Ligjit në Kosovë - Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit prezanton raportin special të tij

18 maj 2021

Më 18 maj, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) e prezantoi "Raportin Special të tij për ndikimin e COVID-19 në Sundimin e Ligjit në Kosovë", që e mbulon periudhën nga muaji mars 2020 deri në mars 2021. Ky raport i identifikon sfidat me të cilat janë përballur sistemi i drejtësisë dhe shërbimi korrektues gjatë pandemisë me koronavirus dhe ofron rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për sistemin e sundimit të ligjit të Kosovës për t'u përgjigjur më mirë ndaj krizave shëndetësore të vazhdueshme.

Gjatë prezantimit, Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, vuri në dukje se vendosja e një ekuilibri midis zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, ka qenë një sfidë e madhe për të gjitha sistemet e sundimit të ligjit në të gjithë botën, përfshirë edhe në Kosovë.

"Tash kur ka kaluar mbi një vit me pandeminë, ky raport vjen në kohën e duhur dhe shpresoj se do të jetë një mjet i vlefshëm për autoritetet e Kosovës për t'u ndihmuar atyre gjatë trajtimit të pasojave të pandemisë. Nga secila krizë vjen edhe një përvojë dhe mençuri e re. Disa nga mësimet e mësuara, për shembull, lidhur me përdorimin e teknologjisë moderne për mbajtjen e seancave gjyqësore mund të shërbejnë madje për ta pëmirësuar efikasitetin e përgjithshëm të drejtësisë", tha Wigemark.

Zëvendës Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nita Shala, tha: “Parandalimi, kontrollimi dhe menaxhimi i pandemisë eshtë prioriteti kryesor i qeverisë tonë. Garantimi i funksionimit të sundimit të ligjit poashtu mbetet prioritet kryesor. Raporti e jep një pasqyrë thelbësore të veprimeve të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse në të gjitha fazat si reagim ndaj pandemisë dhe gjithashtu edhe rekomandime të vlefshme në lidhje me sundimin e ligjit.”

Duke i prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e raportit mbi sistemin e drejtësisë, Shefi i Njësisë së EULEX-it për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, tha: “Autoritetet gjyqësore janë përballur tani me një sfidë të paparë për të siguruar që gjykimet të mbeten publike, si një parim themelor i gjykimit të drejtë, duke garantuar që sallat e gjykimit të jenë të sigurta ndërsa pandemia vazhdonte të shpalosej”.

Shefja e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Ritva Hannele Vahakoski, i prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit mbi sistemin korrektues dhe tha se autoritetet e Kosovës e kuptuan herët nevojën për të bërë përgatitje për ta parandaluar shpërthimin e pandemisë në institucionet korrektuese. "Vrojtimi i drejtpërdrejtë i EULEX-it mbi zbatimin e masave parandaluese në institucionet korrektuese zbuloi një nivel përgjithësisht të lartë të përputhshmërisë që ka çuar në një numër relativisht të ulët të infeksioneve të regjistruara në mesin e personelit të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK) dhe të burgosurve", tha Vahakoski. 

Pas prezantimit të raportit, Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj, tha: “Këshilli Gjyqësor i Kosovës i mirëpret rekomandimet nga raporti, dhe ne, si Këshill, do të punojmë për zbatimin e rekomandimeve përderisa ato varen nga Këshilli".

Jetish Maloku, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) vuri në dukje se pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë, KPK ndërmori veprime për t'u marrë me të. “Këshilli dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me projektin Britanik 'Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë', hartuan Planin e Menaxhimit të Krizave në sistemin prokurorial, një plan për menaxhimin e COVID-19 në sistemin prokurorial. Këshilli vazhdimisht përcjell gjendjen e pandemisë COVID-19 brenda sistemit prokurorial dhe përgatit një raport mbi numrin e infeksioneve në baza javore".

Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Rasim Selmani, vuri në dukje se SHKK-ja është një shembull i mirë se si pandemia mund të menaxhohet me sukses në institucionet korrektuese për shkak të angazhimit të stafit dhe masave të marra në bashkëpunim me sistemin shëndetësor të burgjeve dhe ekspertëve. “Sot, falë këtij menaxhimi, ne kemi numrin më të ulët të burgosurve dhe personelit të infektuar krahasuar me të gjitha vendet në rajon dhe Evropë. Lidhur me rekomandimet e dhëna, SHKK është e përkushtuar t'i zbatojë ato përmes inkorporimit të tyre në legjislacion", theksoi Selmani.

Ky raport special, i cili ndjek gjurmët e raportit më të gjerë të EULEX-it të publikuar në fund të vitit të kaluar mbi monitorimin e tij sistematik dhe tematik të drejtësisë penale dhe civile të Kosovës, është një dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe qëndrueshmërisë së shumë hetuesve policorë, gjyqtarëve, prokurorëve, oficerëve korrektues dhe personelit tjetër të sundimit të ligjit në Kosovë, të cilët kanë punuar vazhdimisht gjatë gjithë pandemisë për t'i shërbyer drejtësisë në rrethana të vështira. 

Raporti është në dispozicion në internet këtu:

https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/Covid%20Report%20_AL.pdf

Faktet janë në dispozicion këtu: https://www.eulex-kosovo.eu/eul/repository/docs/Factsheet_AL.pdf 

Videoja e prezantimit është në dispozicion këtu: 

https://www.facebook.com/EULEX.KOSOVO/videos/4050684858383193/ 

Prapa

Zyra për Komunikim dhe Media