Komunikata për Shtyp

Komunikata për Shtyp

EULEX-i përforcon kapacitetin e tij këshillues dhe monitorues përmes një ekipi të specializuar të këshilltarëve policorë

24 nëntor 2023

Më 23 nëntor, një Ekip i Specializuar (ES) prej gjashtë Këshilltarësh Policorë u dislokua në Kosovë për të përforcuar kapacitetin këshillues dhe monitorues të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me mandatin e EULEX-it për t’i mbështetur institucionet e përzgjedhura të sundimit të ligjit në Kosovë, në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Në mënyrë të veçantë, ES e EULEX-it do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t'i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet.

Dislokimi i ES të EULEX-it do të zgjasë fillimisht për dy muaj, me mundësinë e vazhdimit derisa Misioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës.

Pjesëtarët e ES të EULEX-it janë të dërguar nga Holanda (tre) dhe Suedia (tre) dhe, duke u bazuar në përvojën dhe ekspertizën e tyre policore në komunitet, do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me kolegët e tyre të Policisë së Kosovës dhe me Këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it, të cilët e këshillojnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut dhe katër stacionet policore nën komandën e saj.

Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t'iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren.