Fillimi  BreadCrumbTrailerZyra për Informim  BreadCrumbTrailerKomunikata për Media  BreadCrumbTrailerMandati i ri i EULEX-it

Mandati i ri i EULEX-it

21 qershor 2016

Pas vendimit të Këshillit për ta vazhduar mandatin e Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë deri më 14 qershor 2018, dhe pas shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, Misioni EULEX në partneritet me autoritetet kosovare do të vazhdojë me transferimin gradual të aktiviteteve të tij tek institucionet vendase dhe aktorët tjerë të BE-së.  

EULEX Kosova do ta ndihmojë Kosovën, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në përparimin e tyre drejt qëndrueshmërisë dhe llogaridhënies, si dhe në zhvillimin dhe fuqizimin e mëtejmë të sistemit të pavarur shumetnik të drejtësisë dhe policisë dhe shërbimit doganor shumetnik, duke siguruar që këto institucione të jenë të lira prej ndërhyrjeve politike dhe që i përmbahen standardeve të pranuara ndërkombëtare dhe praktikave evropiane më të mira.  

Ky Mision, në bashkëpunim të plotë me Programet e Asistencës të Bashkimit Evropian do ta zbatojë mandatin e tij përmes monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, ndërsa i ruan disa përgjegjësi të caktuara ekzekutive. Në mënyrë që të mundësohet progresi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm nga ana e autoriteteve vendase, duke i përfshirë autoritetet gjyqësore dhe shërbimet policore, ky Mision do të ofrojë monitorim, mentorim dhe këshillim në nivelet e shtabeve dhe të drejtuesve të lartë të institucioneve përkatëse të Sundimit të Ligjit për ta përforcuar rrethin e drejtësisë penale, me theks në luftimin e ndërhyrjes politike dhe monitorimit të lëndëve të ndjeshme. 

Përmes funksionit ekzekutiv të tij ky Mision do të ofrojë mbështetje për vendimet në lëndët e të drejtës kushtetuese dhe civile, si dhe në ndjekjen dhe gjykimin e lëndëve të përzgjedhura penale.  Në të njëjtën kohë, lëndët e EULEX-it do të vlerësohen vazhdimisht me qëllim që këto lëndë të ri-kualifikohen si lëndë të përbashkëta, duke i angazhuar më tej autoritetet kosovare të drejtësisë, prokurorisë dhe ato hetimore në mënyrë që të ndërtohen kapacitetet kosovare në këto fusha.  

Në parim të gjitha hetimet penale dhe gjykimet e reja penale do të kryhen nga autoritetet e Kosovës, me panele gjyqësore të përbëra nga gjyqtarë të Kosovës. Vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, një rast mund t’i caktohet një prokurori të EULEX-it, ose një panel të përbëhet nga shumica e gjyqtarëve të EULEX-it.

Gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it do të vazhdojnë të jenë të bashkë-vendosur në institucionet e Kosovës dhe të shërbejnë në përputhje me ligjet kosovare. 

Misioni gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me PSBE në Kosovë do të ofrojë mbështetje në dialogun Beograd-Prishtinë për të ndihmuar me zbatimin e marrëveshjeve të mbetura të dialogut në sferën e sundimit të ligjit.

EULEX Kosova, i krijuar në vitin 2008, i ndihmon dhe mbështetë autoritetet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht ato që lidhen me policinë, gjyqësinë dhe doganën. 

Prapa

Zyra për Informim